“Spiunimi”, Gjermania dhe Franca kërkojnë sqarime nga SHBA-ja dhe Danimarka

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel thanë se kanë kërkuar që SHBA-ja dhe Danimarka të japin shpjegim mbi raportet se të dy vendet kanë punuar së bashku për të spiunuar zyrtarë të lartë evropianë.

“Kjo nuk është e pranueshme midis aleatëve”, ka thënë Macron për pretendimet.

Komentet e tij erdhën gjatë një konference shtypi së bashku me Merkelin pas një takimi të Këshillit Francezo-Gjerman të Ministrave.

“Jam i lidhur me besimin që bashkon evropianët dhe amerikanët”, tha Macron, duke shtuar se “nuk ka vend për dyshime” midis vendeve.

“Kjo është arsyeja pse ne presim një sqarim të plotë”, vazhdoi ai.

“Ne kërkuam që partnerët tanë danezë dhe amerikanë të sigurojnë të gjitha informacionet lidhur me këto zbulime dhe mbi këto fakte të së kaluarës. Jemi duke i pritur këto përgjigje”, theksoi presidenti francez.

Nga ana e saj, Merkel tha se pajtohet me komentet e homologut të saj francez.

Ajo tha se qëndrimi i Gjermanisë ndaj sqarimit të ngjarjeve të asaj kohe “nuk ka ndryshuar”.

Gazetat gjermane të lajmeve raportuan të hënën se agjencia e inteligjencës së Danimarkës ndihmoi Agjencinë amerikane të Sigurisë Kombëtare (NSA) të spiunonte udhëheqësit evropianë, duke përfshirë Merkelin dhe presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier.

Zbulimet se Washingtoni kishte përgjuar aleatët e saj evropianë u shfaqën për herë të parë në vitin 2013, por tek tani gazetarët gjermanë kanë arritur akses në raportet e brendshme në lidhje me rolin e Shërbimit të Inteligjencës së Mbrojtëse Daneze (FE) në sigurimin e mbështetjes për NSA-në.

Raporti tregoi se fqinji verior i Gjermanisë dhe partneri i BE-së bashkëpunuan në mënyrë aktive me SHBA-në në spiunimin ndaj udhëheqësve gjermanë.

Sipas raportit, kandidati i atëhershëm për kancelar nga Partia Social Demokrate Gjermane (SPD), Peer Steinbruck, ishte gjithashtu në listën amerikane të spiunimit./AA/

LEXO EDHE:

Back to top button