Stoilkoviqi shkoi në Beograd për ta përkujtuar “Agresionin e NATO-s” ndaj Serbisë – Mickoski s’jep përgjigje të qartë, VLEN: Nuk mund ta bëjmë atë (Stoilkoviqin) shqiptar!

Stoilkoviqi shkoi në Beograd për ta përkujtuar “Agresionin e NATO-s” ndaj Serbisë – Mickoski s’jep përgjigje të qartë, VLEN: Nuk mund ta bëjmë atë (Stoilkoviqin) shqiptar!

Gazetar: Adrian Kerimi

Anëtarësimi i vendit në NATO u cilësua si arritja më e madhe në historinë e shtetit. Madje ratifikimi i protokollit për anëtarësim ishte bërë në kushte pandemie. Anëtarësimit i parapriu tentativa për grusht shtet në prill të vitit 2017, shkruan Alsat.

Më anëtarësimin e vendit, aleanca më e madhe politiko ushtarake në botë, vendosi vijat e qarta në rajon mes aleatëve ushtarak dhe cenuesve të sigurisë posaçërisht në Ballkan.

NATO gjeti aleatin e 30 të saj në Ballkanin Perëndimorë duke i dhënë garanci të pacenueshme sigurisë së shtetit sidomos tani kur në zemër të Evropës, Rusia po pushton vendet jo anëtare të Aleancës Veri-atlantike.

Por a e kishte menduar dikush se Maqedonia e Veriut, pika më e cenuar e Ballkanit dhe ura lidhëse e NATO-së me Greqinë dhe Turqinë do të gjendej në këtë derexhe, që zëvendëskryeministri i vendit të NATO-së të merr pjesë në një ngjarje në Beograd që përkujton “Agresionin e NATO-s” ndaj Serbisë.

Ivan Stoilkoviq, zëvendëskryeministër për Marrëdhënie mes Bashkësive u pa në krah me Millorad Dodikun e Republikës Serbe dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiq.

Pjesëmarrja e tij në këtë ngjarje erdhi pikërisht në 5 vjetorin e anëtarësimit që me ose pa dashje i dërgoi një sinjal të qartë NATO-s ku po rreshtohet shteti.

Kryeministri nuk kishte një përgjigje të qartë se pse zëvendësi i tij shkoi në Beograd.

“Mendoj se për arsyet pse Stoilkoviq ndodhet atje është më mirë ta pyesni vetë Stoilkoviqin”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

VLEN duke dashur ta mbulon diellin me shoshë thotë se Kosova është shtet i pavarur pavarësinë e të cilës e ka pranuar Maqedonia e Veriut.

“Siç kemi thënë edhe më herët, nuk mund të pretendojmë ta bëjmë atë (Stoilkoviqin) shqiptar. Dihet qëndrimi zyrtar i shtetit tonë dhe ai është i pakthyeshëm”, thonë nga VLEN.

BDI-ja pjesëmarrjen e Stoilkoviqit në Beograd e cilësoi si provokim të hapur ndaj orientimit euro-atlantik të vendit.

“Një akt i turpshëm dhe një provokim i hapur ndaj orientimit euro-atlantik të vendit. Qeveria tregon edhe një herë fytyrën e saj të vërtetë, duke u rreshtuar me ata që mohojnë gjenocidin dhe kundërshtojnë perëndimin”, thonë nga BDI.

Nuk është hera e parë që Stoilkoviq kryqëzon interesat strategjike të shtetit.

Në maj të vitit 2023 ai morri pjesë në Samitin e Sigurisë në Moskë, ndërsa në janar të këtij viti, solli Dodikun në Shkup i cili në fjalimin e tij shprehu qartazi qëndrimet anti-NATO dhe anti-BE, dy përcaktime për të cilat Qeveria aktuale është betuar se nuk ka alternativë tjetër.

Për më tepër, Stoillkoviq është zëvendëskryeministër i angazhuar për të garantuar zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, pakti që garantoi stabilitetin, sigurinë dhe barazinë mes komuniteteve në vend, e mbi gjitha ruajti themelet dhe kufijtë e shtetit. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button