Studentët nga jasht Shkupit shpenzojnë më shumë se 500 denarë në ditë për të udhëtuar në fakultetet e tyre
Studentët nga jasht Shkupit shpenzojnë më shumë se 500 denarë në ditë për të udhëtuar në fakultetet e tyre

Gazetare: Melihate Rustemi
Forumi për Ndryshime në Arsim propozon aplikimin e modelit slloven kur bëhet fjalë për transportin e studentëve nga një qytet në tjetër. Sipas Blendi Hodait, çmimet e biletave në transportin ndërurban vazhdojnë të mbeten shumë të larta pavarësisht normalizimit të çmimeve të derivateve të naftës pas krizës së krijuar me luftën në Ukrainë. Hodai tha se studentët që vijnë në Shkup për studime shpenzojnë më shumë se 500 denarë vetëm për biletat e autobusit pa përfshirë shpenzimet tjera për ushqim ose materiale mësimore.
“Edhe pse tash kemi njëfarë llojë normalizimi të çmimeve të naftës edhe materieve tjera, ajo çfarë kemi parë është që nuk janë ulur çmimet e biletave të transportit në mes qyteteve. Ne sygjerojmë modelin e Sllovenisë, studentët të kenë dy opsione të zgjedhin për pjesën e udhëtimit. E para është një biletë që do të ketë dhjetë udhëtime gjatë muajit dhe do të kushtojë rreth 1150 denarë. Opsioni tjetër është që me rreth 2150 denarë studentët që do të paguajnë të kenë mundësi që të udhëtojnë të gjithë muajin sa të duan në mes qytetit që studiojnë dhe qytetit që ata jetojnë”, tha Blendi Hodai, Forumi për Ndryshime në Arsim.
Nga ana tjetër, Aleksandar Nikolloski kryetar I Parlamentit studentor pranë USHKM-së tha se biletaritë e Ndërmarrjes së Transportit Publik Shkup nuk u’a vazhdojnë biletat vjetore për vitin në vijim studentëve që shfrytëzojnë transportin publik falas në kryeqytet. Ai tha se tashmë kanë dërguar ankesë deri te Qeveria, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Qytetit të Shkupit, kryetarja Danela Arsovska dhe NQP-ja që, siç tha ai, të deklarohen publikisht nëse janë paraparë mjete për transport falas të studentëve në qytetin e Shkupit.
“Duhet të presim një përgjigje nga institucionet. Nëse jo, Parlamenti Studentor do të marrë reagimet dhe masat e duhura për të shprehur qëndrimin e saj. Është qesharake që studentët të mos kenë transport falas, masë kjo e parashikuar për dhjetë vjet radhazi nga Qeveria. Në programin e kryetarit aktual të qytetit ishte transporti publik falas për të gjithë qytetarët, dhe tani po vijmë në një situatë ku flitet për anulim të transportit për studentët, gjë që nuk do të ishte e drejtë për standardin studentor”, u shpreh Aleksandar Nikolloski, Parlamenti Studentor.
Nikolloski tha se në rast se studentët mbeten pa transport falas vitin e ardhshëm, një nga opsionet është të protestojnë para institucioneve. /Alsat.mk