Suad Misini, në ditën e dytë të grevës me etje
Suad Misini, në ditën e dytë të grevës me etje

Gazetare: Evi Shkopi
Sot është dita e dytë e grevës me etje e aktivistit për të drejtat e njeriut, Suad Misini dhe duket se përpjekjet e tij për të vënë në lëvizje institucionet që sa më shpejt të zgjidhet problem i personave fantom kanë filluar të japë rezultat. Fatmirësisht gjendja shëndetësore e tij nuk është përkeqësuar, por ai ka filluar të dehidrohet duke bërë që temperature e trupit t’i ulet. Referuar rekomandimeve mjekësore, greva llogaritet si njëra ndër grevat më të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe nuk mund të zgjasë më shumë se 3-4 ditë
“Është normale që të ndihem i lodhur. Tashmë më janë shfaqur simptomat e para të kësaj gjendje, siç është ulja drastike e temperaturës së trupit, humbje e lëngjeve, megjithatë ndihem mirë dhe mendoj se do të mundem të rezistoj për tre ditë, aq sa mjeksia e parashikon se mund të rezistohet. Mbrëmë më është lajmëruar deputetja Latife Shikovska e cila një kohë të gjatë merret me këtë temë, njëherë si aktiviste qytetarë dhe tani si deputete,” tha Suad Misini -aktivist.
Mëngjesin e sotëm atë e vizitoi presidenti Stevo Pendarovski, i cili e ka njoftuar se tashmë e ka nënshkruar Dekretin e Ligjit për ndryshimin e Ligjit për gjendjen civile të qytetarëve.
“Me këto ndryshime mundësohet që mbi 600 qytetarë tanë të zgjidhin problemet e tyre dhe të marrin dokumente personale. Gjithashtu, me ndryshimet do të zgjidhet edhe problemi i pashtetësisë për çdo fëmijë që do të lindë në vend sepse do të marrë certifikatë të lindjes, pavarësisht nëse prindërit e tij kanë apo nuk kanë dokumente personale. Veçanërisht dua të theksoj se është e nevojshme që sa më shpejt të bëhen ndryshime në Ligjin për vendbanim dhe vendqëndrim, të cilat do t’i mundësojnë një kategorie tjetër vulnerabël të qytetarëve tanë të pajisen me dokumente personale.A peloj te deputetët në Kuvendin e Maqedonisë që tashmë janë duke punuar në këtë proces që sa më shpejt të përfundojë, sepse çdo person ka të drejtë për një jetë dinjitoze,” deklaroi Stevo Pendarovski- president.
Edhe kryeministri Kovaçevski u bëri thirrje deputetëve që të përpiqen maksimalisht që ligjet e nevojshëm për zgjidhjen njëherë e mirë të problemit me personat e pa evidentuar të miratohen sa më shpejt.
“Ligji për vendbanim gjithashtu është në procedurë parlamentare dhe shikova se presidenti Pendarovski në mëngjes është takuar me zotëri Misinin dhe, ashtu siç po bëj unë tani, u ka bërë thirrje deputetëve që ta miratojnë sa më shpejt dhe mendoj se me këtë përfundimisht do të zgjidhet problem dekadësh me evidentimin e personave të paevidentuar që jetojnë në shtet, por gjithashtu edhe vendqëndrimi i përsonave i rregulluar me ligj,” tha Dimitar Kovaçevski- kryeministër.
Javën e kaluar Kuvendi miratoi ndryshimet në Ligjin për evidencën amë përmes të cilit mundësohet regjistrimi i rreth 700 personave të cilët nuk figurojnë në regjistrin shtetërore ose figurojnë në Evidencën e të paevidentuarve. Personat e sapolindur do të duhet regjistruar më së voni 45 ditë nga data e lindjes, ndërsa deri në dhjetor të këtij viti në evidencën amë duhet përfshirë edhe personat e moshave madhore, të miturit dhe fëmijët. Por ky ligj nuk e zgjidhi problemin e personave fantom, pasi problematika e tyre përfshihet në kornizat e ligjit për letërnjoftim dhe ligjit për paraqitjen e vendbanimit. /alsat.mk