Sulmuesit e TV Alsat/ Nikollçev dhe bashkëshortja e tij rrezikojnë deri në 5 vjet burg
Sulmuesit e TV Alsat/ Nikollçev dhe bashkëshortja e tij rrezikojnë deri në 5 vjet burg

Gazetar: Suad Bajrami
Gjykata Penale e Shkupit pranoi propozimin e Prokurorisë, me çka sulmuesit e ekipit të televizionit Alsat përfunduan në paraburgim. Aleksandar Nikollçev pronar i kompanisë “ADS METAL GROUP” u dërgua në paraburgim 8 ditor në Shtukë, ndërsa bashkëshortja e tij, sipas propozimit të Prokurorisë përfundon në arrest shtëpiak. Çifti sulmoi fizikisht ekipin, respektivisht gazetarin Avni Tahiri dhe operatorin Shenoll Hajredin derisa po raportonin për zjarrin në Vizbeg, tymi i të cilit, vërshoi tërë qytetin.
“Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Penale të Shkupit duke vepruar sipas propozimit të Prokurorisë Themelore Publike, për caktimin e masave për sigurimin e pranisë ndaj dy personave, të dyshuar për sulm të ekipit mediatik të Alsat gjatë zjarrit në Vizbeg miratoi vendim me të cilin pranoi propozimin e Prokurorisë. Të dyshuarit A.N. i caktoi masë paraburgim në kohëzgjatje prej tetë ditësh ndërsa për të dyshuarën M.K. pranohet propozimi për caktimin e masës arrest shtëpie”, njoftojnë nga Gjykata Penale, Shkup.
Sulmi fizik i çiftit bashkëshortor ndaj ekipit të Televizionit Alsat, paraqet vepër të rëndë penale, për çka prej vitit 2023 janë në fuqi masa më të rrepta ndëshkuese. Në bazë të këtyre ndryshimeve, Nikollçev dhe bashkëshortja e tyre do të ndiqen për sulm ndaj personit zyrtar. Respektivisht, Prokuroria, ka përkufizuar veprimin e tyre si “Pengim të personit zyrtar në kryerjen e veprimeve zyrtare” sipas nenit 382, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 dhe 1 të Kodit Penal. Për këtë vepër, Kodi Penal në fuqi, parasheh dënim deri në 5 vjet burg.
Megjithatë, përgjegjësia penale ndaj çiftit sulmues, mund të mos mbarojë këtu, duke e pasur parasysh se prokuroria po vazhdon hetimet edhe për arsyet e zjarrit të djeshëm. Për këtë, prokurori i lëndës ka dhënë një sërë urdhrash për të siguruar prova. Ata, mund të mbahen përgjegjës për rreziqet ndaj jetës dhe pronës së qytetarëve, por edhe mjedisit jetësor.
Për shkak të praktikës së mosndëshkueshmërisë së punëtorëve mediatik, prej dy vitesh janë në fuqi ndryshimet me të cilat sulmi ndaj gazetarëve kategorizohet si sulm ndaj personit zyrtar. Krahas, veprës për të cilën ndiqen sulmuesit e ekipit të Alsat, në Kodin Penal janë parashikuar edhe disa nene tjera që mbrojnë punën e punëtorëve mediatik.
Për shembull, në nenin 144, parashihet dënim me burg deri në 3 vjet për qytetarët që kërcënojnë gazetarët apo punëtorët mediatik.
Më tej, dënim deri në 3 ose 5 vjet burg parashihet edhe për personat të cilët me forcë ose kërcënim serioz, detyrojnë një gazetar ose punëtor mediatik të kryej, mos kryej ose të durojë diçka, derisa është duke ushtruar detyra profesionale.
Me ndryshimet e fundit, parashihen dënime më të ashpra edhe për personat që kryejnë vrasje të gazetarit ose punëtorit mediatik. /Alsat.mk