Sulm me thikë në një xhami të Tiranës, pesë të plagosur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e kësaj të hënë në xhaminë “Dine Hoxha” në rrugën e Kavajës, në Tiranë, shkruan Euronews.
Një person identifikuar si Rudolf Nikolli nga Burreli, ka qëlluar me thikë pesë persona brenda ambienteve të xhamisë. Në vendngjarje janë grumbulluar disa persona, ndërsa kanë mbërritur edhe forcat e policisë. Autori i plagosjes është neutralizuar dhe arrestuar nga shërbimet e Policisë.
“Rreth orës 14:30, në Rrugën e Kavajës, një shtetas është futur në ambientet e një kulti fetar (xhami) dhe në rrethana ende të paqarta ka plagosur me mjet prerës 5 shtetas. Falë reagimit profesional dhe të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë është bërë i mundur neutralizimi dhe prangosja e autorit të dyshuar, shtetasi Rudolf Nikolli 34 vjeç, nga Burreli, i cili po shoqërohet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
Sipas Policisë, të plagosurit janë dërguar menjëherë në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
“Ndërkohë, shërbimet e Policisë iu kanë dhënë ndihmën e parë shtetasve të lënduar, të cilët janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes”, thuhet në njoftim.