Sulme të mëdha artilerie mes Indisë dhe Pakistanit, ka dhe viktima
Sulme të mëdha artilerie mes Indisë dhe Pakistanit, ka dhe viktima

India dhe Pakistani kanë shkëmbyer sulme të mëdha artilerie përgjatë kufirit në rajonin e diskutueshëm të Kashmirit. Në Pakistan, sulmet shkaktuan vdekjen e katër civilëve dhe plagosjen e 12 të tjerëve në afërsi të Vijës së Kontrollit që ndan Kashmirin. Në anën e Indisë, zyrtarë ushtarakë thanë se trupat pakistaneze i bombarduan me artileri, mortaja dhe armë zjarri postet e tyre në disa zona. Forcat indiane u kundërpërgjigjën me intensitet, duke shkaktuar përleshje të ashpra deri në agim. Në sektorin Uri të Indisë, një grua humbi jetën dhe dy civilë të tjerë u plagosën, sipas policisë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave civile në Indi në 17 që nga dita e mërkurë. Tensionet mes dy fuqive bërthamore janë rritur ndjeshëm që pas një sulmi më 22 prill në një zonë turistike në Kashmirin e kontrolluar nga India, ku mbetën të vrarë 26 civilë, kryesisht turistë hindu nga India. Qeveria e Indisë fajësoi Pakistanin për mbështetjen e këtij sulmi, por Islamabadi e ka mohuar përfshirjen. /Alsat.mk