Sulmet izraelite në Gaza nuk kanë të ndalur
Sulmet izraelite në Gaza nuk kanë të ndalur

Gazetare: Xhesika Sallahi
Sulmet e intensifikuara vazhdojnë në Bregun Perëndimor. Ushtria izraelite tha se ka vrarë një militant të lartë palestinez, Abu Shalal, i cili siç thekson kishte planifikuar sulme kundër izraelitëve në Jerusalem, me fonde dhe udhëzime nga burimet iraniane. Gjysmëhëna e Kuqe palestineze tha se forcat izraelite kanë penguar mjekët që të shkojnë në vendin e ngjarjes ku mbetën të vrarë 4 persona. Ndërkohë, një karvan kamionësh hyri në kalimin kufitar Rafah me ndihma humanitare për Rripin e Gazës. Nga ana tjetër një dërgesë ndihmash mjekësore për dhjetëra pengje të mbajtura nga Hamasi u dërguan pasi Franca dhe Katari ndërmjetësuan marrëveshje midis Izraelit dhe grupit militant. Ndërkaq, sekretari amerikan i shtetit, Antoni Blinken i pyetur për konfliktin në Gaza, në forumin ekonomik botëror tha se vuajtjet e njerëzve të pafajshëm duhet të ndërpriten.
“Për mua, për shumë prej nesh, ajo që po shohim çdo ditë në Gaza është e vështirë. Dhe vuajtjet që po shohim mes burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm më thyejnë zemrën. Pyetja është: çfarë duhet bërë? Ne kemi bërë gjykime se si mund të ishim më të efektshmit në mënyra për të marrë më shumë ndihma humanitare për njerëzit dhe për të minimizuar viktimat civile. Ju po flisni për një qeveri dhe një strukturë qeverisjeje që maksimizon aftësinë e autoritetit për të dhënë atë që populli palestinez dëshiron dhe ka nevojë. Por ajo gjithashtu duhet të jetë në gjendje të veprojë me mbështetjen e me ndihmën e Izraelit, jo me kundërshtimin e tij aktiv”, deklaroi Antoni Blinken, Sekretar Amerikan i Shtetit.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës thotë se mbi 24,300 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i luftës. Ministria thotë se rreth dy të tretat e të vrarëve ishin gra dhe fëmijë. Mbi 60,000 vetë janë plagosur dhe më pak se gjysma e spitaleve të Gazës funksionojnë pjesërisht. /Alsat.mk