Sulmi, Mickoski: I neveritur nga dhuna ndaj ekipit të Alsat

Sulmi, Mickoski: I neveritur nga dhuna ndaj ekipit të Alsat

Gazetare: Fatlume Dervishi

Reagime të shumta pas sulmit ndaj ekipit të gazetarëve të Alsat. Sulmi cilësohet si sulm ndaj fjalës së lirë kurse kërkohet dënimi i autorëve. Kryeministri Mickoski e quajti rastin të neveritshëm.

“Unë e mora atë informacion dhe jam i neveritur që ngrihet dorë mbi mediat. Ajo duhet të sanksionohet dhe personi që e ka bërë urgjentisht të dalë para drejtësisë që kjo të mos përsëritet kjo gjë,” deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.  

Kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela dënoi poashtu sulmin. Thotë se heshtja e institucioneve inkurajon sulmet e tilla.

“Dënoj ashpër sulmin ndaj ekipit të Televizionit ALSAT gjatë raportimit të sotshëm nga deponia e djegur në Vizbeg. Sulmi ndaj gazetarëve dhe mediave është sulm i drejtpërdrejtë ndaj fjalës së lirë dhe lirisë në përgjithësi. Kjo nuk është hera e parë, por fatkeqësisht periudhën e fundit sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve po shtohen në vazhdimësi, ndërsa heshtja e institucioneve i inkurajon ato. Kërkojmë veprim urgjent dhe dënim maksimal ligjor për sulmuesin, që do të shërbejë si porosi për të tjerët që mund të mendojnë në të ardhmen të ngrenë dorë mbi gazetarët,” u shpreh Ziadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Nga VLEN thanë se kjo ngjarje është e papranueshme dhe përbën shkelje flagrante të lirisë së medias, të sigurisë së punonjësve të mediave dhe të vetë themeleve të një shoqërie demokratike. Sulmin e dënoi edhe një nga liderët e VLEN, Bilall Kasami.

“Dënojmë publikisht në emrin tim dhe në emër të VLEN sulmin ndaj ekipit gazetaresk të Alsatit dhe kërkojmë nga institucionet që rasti të zbardhet dhe gjithë ata të cilët sulmojnë gazetarë dhe fjalën e lirë, të marrin dënimin e merituar,” tha Bilall Kasami, VLEN.

Për sulmin një ditë më parë reaguan edhe nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Sindikata e Gazetarëve dhe Nëpunësve të Mediave. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button