Sulejman Lamallari u dënua me dy vjet burg nga Gjykata Penale, nën akuzën se ka ushtruar dhunë mbi kryetaren e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska. Sipas njoftimit të Gjykatës Penale, i akuzuari ka ushtruar dhunë të rëndë ndaj Arsovskës.
“I akuzuari S.L shpallet fajtor për veprën e kryer penale “Dhunë” nga nenin 386 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 nga Kodi Penal, me çka i shqiptoi dënim me burg në kohëzgjatje prej dy viteve, për shkak se më 11.07.2025, ka ushtruar dhunë të ashpër ndaj kryetares së Qytetit të Shkupit”, thonë nga Gjykata Penale.
Lamallarit iu vazhdua paraburgimi deri në aktvendimin e plotfuqishëm, përkatësisht deri në fillim të vuajtjes së dënimit, por jo më tepër se 60 ditë. Avokatja e Lamallarit, Ivanka Jakimovska, për Alsat njoftoi se do të dorëzojnë ankesë në Gjykatën e Apelit, edhe për paraburgimin edhe për aktvendimin. Sipas saj, nuk ka asnjë dëshmi për shqiptimin e dënimit. I akuzuari Lamallari në seancën e fundit të fjalëve përfundimtare, pranoi se e ka fyer me fjalë dhe i ka kërkuar të mos incizojë me telefon, por nuk e ka sulmuar atë fizikisht. Lamallari këmbënguli se Arsovska e ka sulmuar atë. Zënka mes Arsovskës dhe Lamallarit nisi kur ky i fundit u përjashtua nga puna nga Ndërmarrja Publike “Parqe dhe Gjelbërime”, në kompetenca të Qyteti të Shkupit. Derisa Arsovska kryente inspektime për ndërtime pa leje në afërsi të shtëpisë së Lamallarit, i akuzuari dyshonte se çështja ka prapavijë politike dhe u afrua për ta pyetur atë për arsyet e largimit nga puna. Arsovska paraprakisht kishte njoftuar se Lamallari është larguar për shkak se nuk ka shkuar rregullisht në punë. /Alsat.mk








