Pas vetëm 6 muaj në Turqi, ku veshi fanellën e Gallatasaraj, mesfushori Nikolo Zaniolo dëshiron të rikthehet në Itali, për të qenë sërish protagonist në një skuadër të madhe. 23-vjeçari, në një intervistë për “Gazzetta Dello Sport” ka folur për të ardhmen e tij dhe dëshirën për të luajtur me Juventusin.
“Me apo pa Ligën e Kampionëve, me apo pa Europë, skuadra e Juventusit mbetet Juventus. Kur kam qenë fëmijë gjithnjë kam bërë tifo për “bardhezinjtë” dhe idhulli im ishte Pogba”, shprehet Zaniolo.
“Do të më pëlqente të luaja te Juventusi. Mos harroni që po flasim për një klub të madh në Itali dhe Europë”, tha Zaniolo, që i ka idetë e qarta për të ardhmen.
Duket se mesfushori është gati të lërë Turqinë vetëm për Juventus dhe asnjë ekip tjetër.
“Nëse do të krijohet mundësia do të vij te Juventusi, por duke kënaqur të gjitha palët: Juve, Gallatasaraj dhe unë. Në të kundërt, jam mirë aty ku jam tani, në Turqi”, u shpreh Zaniolo.








