Sveçla mbron vendimin për mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës
Sveçla mbron vendimin për mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka mbrojtur aksionin e autoriteteve të Kosovës të ndërmarrë një ditë më parë, kur u mbyllën nëntë degë të Postës së Serbisë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Gjatë një vizite në Mitrovicë të Veriut, Sveçla tha se “Çfarë janë duke bërë institucionet e Kosovës është shumë normale. Ato nuk kanë pasur licencë”. Një ditë më parë, nga Policia e Kosovës thanë se aksioni u zhvillua pas informatës së pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë. Bashkimi Evropian e kritikoi aksionin, duke thënë se ishte një veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar i autoriteteve të Kosovës. Blloku argumentoi se një veprim i tillë shkel dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Edhe Shtetet e Bashkuara thanë se janë “thellësisht të zhgënjyera” për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë. Ambasada amerikane në Prishtinë tha se veprimet “e pakoordinuara të Kosovës përballin shtetasit e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it me rrezik të madh, nxisin përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve rajonale, dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtare”.