Synohet shkarkimi i udhëheqësit të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA
Synohet shkarkimi i udhëheqësit të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA

Udhëheqësi i Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, Kevin McCarthy është duke luftuar për jetën e tij politike pasi një rebel i krahut të djathtë Matt Gaetz, e ka nisur një mocion për shkarkimin e tij. Tensionet mes dy republikanëve janë përkeqësuar përgjatë fundjavës, pasi McCarthy e ka miratuar një projektligj me ndihmën e demokratëve për t’i financuar agjencitë qeveritare.
Deri më tani, askush në historinë amerikane në këtë pozitë, nuk është shkarkuar përmes një mocioni të tillë. Udhëheqësia tani i ka dy ditë për ta vënë masën për votim, ndonëse mund të nisen procedura tjera për ta penguar procesin. Pozita e udhëheqësit të Dhomës së Përfaqësuesve është e dyta në linjë për pozitën e presidentit, pas pozitës së nënpresidentit.
Për ta shkarkuar atë nga pozita nevojitet një shumicë e thjeshtë, mirëpo deri më tani pak republikanë kanë thënë se kanë gatishmëri për të bërë diçka të tillë. /Alsat.mk