Takimi Biden-Erdogan, priten me tensione

Po pritet me vëmendje të madhe takimi i presidentit amerikan, Joe Biden me homologun e tij turk, Rexhep Tajip Erdogan, teksa liderët e vendeve të NATO-s mblidhen në Bruksel.

Disa vëzhgues kanë ngritur pyetjen nëse Turqia mund të shihet ende si një aleat i besuar i NATO-s dhe një partner për sigurinë. Teksa komentet e Bidenit kanë shtuar gjasat që takimi i tij me Vladimir Putin të mos jetë dhe aq miqësor, ka shumë të ngjarë që tensionet të mos mungojnë as gjatë përballjes së shefit të Shtëpisë së Bardhë me kreun e shtetit turk. Në fakt, retorikat e ashpra mes tij dhe Erdoganit nuk kanë munguar kohët e fundit.

Bideni e quajti “autokrat” gjatë fushatës presidenciale, dhe duke iu referuar konfliktit në Gaza, Erdogani e fshikulloi presidentin amerikan për mbështetjen e dhënë Izraelit, duke thënë se ai i ka duart e “lyera me gjak”.

Ngërçi i madh në marrëdhëniet dypalëshe mbetet sistemi i mbrojtjes raketore ruse S-400, që Turqia bleu nga Moska. “Kurrë nuk kemi lënë të kuptohet se jemi të gatshëm të pranojmë zotërimin e sistemit S-400 nga Turqia. Bie ndesh me statusin e Turqisë si një aleate e NATO-s”, u shpreh zëdhënësi i DASH.

S-400, një sistem i lëvizshëm raketor tokë-ajër, konsiderohet një rrezik për aleancën por edhe për vetë plaformën më të shtrenjtë amerikanëve të armëve, F 35-sat. Eksperti i politikës së jashtme, Bradley Boëman i tha VOA-s se prej vitesh, Erdogani nuk ka vepruar sikur Turqia dëshiron të mbetet një aleat i besuar në NATO.

“Një aleat nuk blen një sistem të mbrojtjes nga raketat nga kërcënuesi kryesor i aleancës, Rusia. Kjo nuk bëhet”, thotë ai, ndërsa të tjerë thonë se Washingtoni duhet t’i shqyrtojë edhe një herë lidhjet me Turqinë.

LEXO EDHE:

Back to top button