Taksa e solidaritetit arrin në Kuvend me flamur evropian
Taksa e solidaritetit arrin në Kuvend me flamur evropian

Gazetar: Adnan Qaili
Qeveria ka miratuar tekstin e Ligjit për taksën e solidaritetit, të cilën e dorëzoi në Kuvend me flamurin evropian. Duke u arsyetuar se është në përputhje me rregulloren e BE-së, me procedurë të shkurtuar parlamentare, ekzekutivi përpiqet që taksa solidare të mblidhet para rebalancit të buxhetit. Nga Qeveria thonë se BE ka miratuar Rregulloren e Këshillit Evropian që për zbutjen e krizës energjetike duhet të mblidhet një taksë e solidaritetit nga kompanitë që kanë përfituar ekstra profit falë kësaj krize. Duke u bazuar në këtë, ekzekutivi kërkon që sivjet të mbledhë njëherësh këtë takës për ato kompani që kanë regjistruar të hyra mbi 10 milionë euro gjatë vitit të kaluar.
“Qëllimi i këtij propozim ligj është që secila kompani, e cila ka fituar më shumë se 615 milionë denarë gjatë vitit 2022, të merr pjesë në zvogëlimin e shpenzimeve, në përputhje me mundësitë e tyre ekonomike dhe në mënyrë solidare që të kontribuojë në zbutjen e pasojave nga kriza energjetike, thellimi i inflacionit dhe ngritja e çmimeve të produkteve ushqimore”, njoftojnë nga Qeveria e RVM-së.
Për reformën tatimore, me flamur evropian arritën edhe dy propozim ligje të tjera. Projektligji për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për tatimin mbi fitimin dhe Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar. Retorika e autoriteteve ka qenë se kjo taksë duhet të zbatohet patjetër përderisa si kompanitë e vogla që kanë marrë subvencione për ti mbijetuar falimentimit, ashtu dhe kompanitë e mesme dhe ato të mëdha kanë përfituar benefitet e shtetit për rrymë më të lirë dhe për ulje të TVSH-së gjatë kohës së krizës. Por, nga opozitarja e VMRO DPMNE-së e kundërshtojnë këtë.
“Me të ashtuquajturi tatimi i solidaritetit qeveria kërkon nga kompanitë të jenë solidare por njëkohësisht ata vetë shpenzojnë pamasë, nuk kanë konsolidim financiar dhe ekonominë gri e luftojnë vetëm me fjalë. Likuiditeti i kompanive është rrënuar dhe imponimi i këtij tatimi në mënyrë plotësuese do ti vështirësoj edhe ashtu kushtet që aktualisht kompanitë veprojnë. Ligji nuk i merr parasysh efektet e investimeve, zhvillimin e kompanive që kanë kontribuar në ekonominë e vendit ndërsa porosia që pushteti e dërgon te ekonomia është që të suksesshmit ti ndëshkojë”, deklaroi Bojan Stojanovski, Deputet i VMRO DPMNE.
Sipas përllogaritjeve zyrtare përmes taksës së solidaritetit parashikohet të arkëtohen rreth 90 milionë euro. Nga të hyrat që kanë deklaruar në DAP për 2022-ën, kësaj takse do ti detyrohen mbi 200 kompani.
Përllogaritja është e thjeshtë, çdo kompani që ka gjeneruar të hyra 30% më shumë se në 3 vitet e kaluara të cilat njëkohësisht kjo përqindje kalon 10 milionë euro do të kushtëzohen të paguajnë taksën solidare.
Ata që kundërshtojnë fort këtë taksë janë vetë Oda ekonomike e Maqedonisë, e cila kërkon të mos bëhet. Sipas kësaj Ode me vendosjen e një takse shtesë do të krijohet klimë negative e biznesit dhe përveç kompanive vendase do të demotivohen edhe investitorët e huaj potencial që duan të vijnë në vend. /Alsat.mk