Talibanët janë të pamëshirshëm, thotë gjenerali amerikan

Shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë amerikane, gjenerali Mark Milley, i përshkroi talibanët si “grup i pamëshirshëm” dhe tha se është e paqartë nëse ata do të ndryshojnë.

Megjithatë, shtoi Miller, është “e mundur” që Shtetet e Bashkuara të koordinohen me ta në të ardhmen për operacione kundër terrorizmit.

Ai përmendi në mënyrë specifike luftimin e grupit militant Shteti Islamik Khorasan, i cili mori përgjegjësinë për sulmet e javës së kaluar jashtë aeroportit të Kabulit.

Mbi 170 njerëz u vranë në këto sulme, përfshirë 13 ushtarë amerikanë.

Forcat amerikane u tërhoqën nga Afganistani të martën, pas 20 vjetësh prani në këtë vend.

SHBA-ja dhe aleatët pushtuan Afganistanin në vitin 2001, për të rrëzuar talibanët nga pushteti.

Talibanët tani kontrollojnë gjithë Afganistanin dhe pritet të shpallin Qeverinë e re.

Gjenerali Milley foli në një konferencë për media bashkë me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Austin tha se nuk dëshiron të bëjë ndonjë parashikim për bashkëpunimin e ardhshëm me talibanët, por shtoi se fokus i SHBA-së do të mbetet grupi Shteti Islamik Khorasan dhe se ai “do të mbahet përgjegjës për atë që ka bërë”.

Presidenti amerikan, Joe Biden, u kritikua gjerësisht për mënyrën e shpejtë të tërheqjes nga Afganistani, e cila çoi në kolapsin e papritur të forcave afgane të sigurisë.

“Në luftë ju bëni atë që duhet për të zvogëluar rrezikun për misionin dhe forcën, e jo atë që domosdoshmërisht dëshironi ta bëni”, tha gjenerali Milley.

LEXO EDHE:

Back to top button