Talibanët kanë mbajtur të martën konferencën e parë zyrtare për media në Kabul, prej kur kanë marrë kontrollin e Afganistanit.
Ata kanë thënë se dëshirojnë marrëdhënie paqësore me vendet tjera dhe se do të respektojnë të drejtat e grave sipas kornizës së ligjit islamik.
“Ne nuk duam armiq të brendshëm apo të jashtëm”, ka thënë zëdhënësi kryesor i talibanëve, Zabihullah Mujahid.
Ai ka thënë se gratë do të lejohen të punojnë dhe të studiojnë dhe “do të jenë shumë aktive në shoqëri, por brenda rregullave që përcakton Islami”.
“Ne kemi të drejtë të veprojmë në përputhje me parimet tona fetare. Shtetet tjera kanë qasje, rregulla dhe rregullore tjera.. afganët kanë të drejtë të kenë të drejtat e tyre në përputhje me vlerat e tyre”, ka thënë ai.
“Ne jemi të përkushtuar për të drejtat e grave sipas ligjit islamik”, ka thënë Mujahid.
“Ato do të punojnë afër nesh. Ne duam ta sigurojmë komunitetin ndërkombëtar se nuk do të ketë diskriminim”.
Zyrtari taliban ka thënë edhe se të gjithë ish-ushtarët qeveritarë, përkthyesit dhe punëtorët tjerë, që kanë punuar me forcat e huaja, janë falur dhe se nuk do të ketë hakmarrje kundër tyre.
“Askush nuk do t’ju lëndojë, askush nuk do të trokasë në dyert tuaja”, ka thënë Mujahid.
“Nuk do të strehojmë luftëtarë të huaj”
Zëdhënësi i talibanëve ka thënë përgjatë konferencës se toka e Afganistanit nuk do të përdoret kundër askujt, kur është pyetur nëse ka rrezik të strehimit të luftëtarëve të Al-Kaidës.
“Ne mund ta sigurojmë komunitetin ndërkombëtar për këtë gjë”, ka thënë ai.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar talibanët se aleanca nuk do të lejojë që Afganistani të bëhet strehë për terrorizëm, pasi militantët kanë marrë pushtetin në fundjavë.
“Ata që tani marrin pushtetin, kanë përgjegjësi për të siguruar se terroristët ndërkombëtarë të mos fitojnë terren”, ka thënë Stoltenberg në një konferencë për media në Bruksel më 17 gusht.
Ai ka thënë se ndonëse NATO-ja ka tërhequr forcat nga Afganistani, aleanca do të mbetet në vëzhgim nëse ka shenja që grupet terroriste janë duke u rigrupuar, apo nëse mund të ketë sulme nga distanca.
“Ky ka qenë proces evolucionar”
Zyrtarët talibanë kanë thënë se Afganistani është komb mysliman, qoftë 20 vjet më parë, qoftë tani.
“Mirëpo sa i përket përvojës, maturisë dhe vizionit, natyrisht se ka dallim të madh në mes nesh tani dhe atyre që kemi qenë 20 vjet më parë”, ka thënë Mujahid.
“Ka dallim të madh në vendimet që do të marrim, ky ka qenë proces evolucionar”.
Duke iu përgjigjur pyetjes rreth negociatave për të formuar qeverinë e re, Mujahid ka thënë se talibanët kanë qenë në kontakt me negociatorët Abdullah Abdullah, udhëheqës i Këshillit Kombëtar për Pajtim, ish-presidentin Hamid Karzai dhe Gulbudin Hekmatyar, lider i grupit politik dhe paramilitar, Hizb-e-Islami.
Talibanët duan qeveri gjithëpërfshirëse, mirëpo brenda vlerave të Islamit”, ka thënë ai.
Talibanët kanë pretenduar fitore më 15 gusht, pasi kanë marrë kontrollin e kryeqytetit, Kabulit, pas gati 20 vjetëve të dhënies fund të prezencës ushtarake të forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara./REL