Talibanët po i afrohen kryeqytetit afgan
Luftimet e forcave qeveritare afgane me militantët talibanë, po vazhdojnë edhe gjatë ditës së enjte, në shumë rajone të Afganistanit. Luftimet kanë qenë jashtëzakonisht intensive në qytetin e Kandaharit.
Nga spitali i qytetit u tha se ishin pranuar shumë anëtarë të forcave të armatosura dhe disa talibanë të plagosur. Talibanët thanë se kanë marrë nën kontroll burgun krahinor të Kandaharit. Ata gjithashtu thanë se kanë vënë nën kontroll qytetin e Gaznit, që gjendet 130 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Kabul.
Inteligjenca amerikane beson se brenda 90 ditësh, ata mund ta marrin nën kontroll kryeqytetin Kabul, raporton Reuters.
Sipas Reuters, për më pak se një javë, talibanët kanë marrë kontrollin e së paku tetë kryeqyteteve të provincave dhe janë afër marrjes së kontrollit edhe të tre të tjerëve.
Agjencia e lajmeve AP, raporton se kryengritësit tashmë kanë nën kontroll 10 nga 34 kryeqytetet e provincave.








