Taravari: Do të bëjmë çmos për ta heq 20% / Grubi: Do të hiqet 20% kur do t’i vije koha

Taravari: Do të bëjmë çmos për ta heq 20% / Grubi: Do të hiqet 20% kur do t’i vije koha

Gazetar: Adrian Kerimi

Propozimi i Qeverisë për ndryshimet Kushtetuese ndodhet në Sekretariatin për legjislacion. Versioni përfundimtar do të publikohet javën që vjen. Megjithëse si i tillë nuk përfshin heqjen e 20% nga kushtetuta, kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari thotë se do të bëhet çmos që përcaktimi 20% të hiqet nga akti më i lartë juridik. Sipas tij, propozimi i Qeverisë mund të ndryshon në çdo kohë, derisa nuk miratohet nevoja për hapjen e kushtetutës.

“Ne do të japim maksimumin tonë për ta tërhequr 20%. Do të bëjmë çmos për të heq atë nga kushtetuta. Çdo herë bashkëqytetarët tanë na thonë nuk është tani momenti. Kështu ishte 2019 kur u hap kushtetuta edhe atëherë na thanë herën tjetër. Tani është ajo radha….Ne jemi pjesë e Qeverisë dhe propozimi qeveritar mund të ndryshohet në çdo moment deri sa të bëhet votimi ose hapja e Kushtetutës”, deklaroi Arben Taravari, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Qëndrim krejtësisht ndryshe ka partneri i koalicionit, BDI. Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi thotë se 20% do të hiqet atëherë kur të vij koha. Se kur do të vij koha për gjuhën shqipe, Grubi nuk tregon edhe pse deri tani Kushtetuta është hapur disa herë, ndërsa BDI përveç zyrtarizimit të shqipes me ligj, ka premtuar edhe heqjen e referencës 20%.

Zoti Grubi a do të hiqet 20% nga Kushtetuta?

“Do të hiqet 20% kur do t’i vije koha”, u përgjigj Artan Grubi, Zëvendëskryeministër.

Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi në takimin e fundit me gazetarët ka deklaruar se në rast se Qeveria nuk propozon draft- amendament kushtetues për heqjen e 20%, një gjë e tillë nuk mund të bëhet në Kuvend përmes amendamenteve sepse nuk mund të ndërhyhet jashtë vendimit për veprim. Por, në ndryshimet e vitit 2019, ndonëse Qeveria nuk kishte propozuar futjen e Kosovës si shtet me të cilin kufizohet Maqedonia e Veriut, Komisioni për Çështje Kushtetuese kishte propozuar amendament me të cilin Kosova u përfshi në Ligjin kushtetues si shtet me të cilin kufizohet vendi ynë.  /Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button