Taravari: Gjasat që Aleanca për Shqiptarët të bëhet pjesë e Qeverisë janë të mëdha

Taravari: Gjasat që Aleanca për Shqiptarët të bëhet pjesë e Qeverisë janë të mëdha

Gazetare: Fatlume Dervishi

Gjasat që Aleanca për Shqiptarët të bëhet pjesë e Qeverisë janë të mëdha, njoftoi kreu i kësaj partie Arben Taravari, pas takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski. Harmonizimi i programeve mes palëve është pothuajse gati kurse në radhë mbetet për t’u diskutuar dhe çështja e resorëve. Taravari nuk mohoi që Shëndetësia është një nga resorët që synojnë.

“Në aspekt programor besoj se pjesa dërrmuese e çështjeve janë të sinkronizuara me Qeverinë, mund të them 90% të propozimeve tona të cilat i kishim. Drejtimi eurointegrues, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, funksionimi i shtetit të së drejtës, ligj i ri për qeverinë, shndërrimi i Byrosë për zhvillim të barabartë në Agjenci për zhvillim të barabartë rajonal… një nga ministritë për të cilën kemi kuadro më të mira është Ministria e Shëndetësisë megjithatë aspak nuk e hapëm këtë temë”, tha Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Kryeministri nuk u prononcua pas takimit, por në komunikatën nga thuhet se palët kanë biseduar për disa çështje duke numëruar disa nga temat që përmendi Taravari por edhe të tjera.

“Gjithashtu, kryeministri Kovaçevski dhe Taravari diskutuan për trajtimin efikas të krizës energjetike dhe ekonomike, zhvillimin ekonomik si dhe miratimin e ligjeve reformuese që nënkuptojnë përmirësimin e funksionimit të shtetit si zgjidhje ligjore për kontrollin financiar publik, parandalimin e keqpërdorimi i balancuesit, mbrojtja e kategorive vulnerabël të qytetarëve”, thonë nga Qeveria.

Kovaçevski do të informojë organet e partisë së tij për takimin e sotëm me Taravarin. Ky ishte fillimi zyrtar i negociatave kurse takimet do të vazhdojnë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button