Taravari: Nga viti i ardhshëm nuk duhet të ketë specializime private

Taravari: Nga viti i ardhshëm nuk duhet të ketë specializime private

Gazetare: Melihate Rustemi

Në nisje të mandatit, ministri i Shëndetësisë Arben Taravari bëri një sërë premtimesh. Nga viti i ardhshëm, Taravari planifikon shfuqizimin e specializimeve private ndërkohë në konsultim me drejtuesit e Fakultetit të Mjekësisë tha se do të krijojnë strategji që specializime të caktuara të jenë në pushim. Gjithashtu, ministri Taravari tha se do të motivojnë mjekët e rinj të vazhdojnë specializimet në drejtimet deficiatre si anesteziologji, patologji, radiologji dhe të tjera.

“Askund në botë nuk ka specializime private. Unë besoj që të merremi vesh, t’i dëgjoj edhe ata çfarë kërkojnë dhe  t’ju japim vendime pune dhe prej  vitit të ardhshëm mos të ketë specializime private sepse jemi shteti i vetëm me specializime private. Në ndërkohë kemi deficit të madh të kuadrit. Mund ta shfrytëzojmë rastin që të ketë një situatë uin-uin, të dyja anët të jenë të kënaqura edhe mjekët të punësohen dhe të marrin vendime edhe shteti ti mbuloj disa zbrazëtira që i ka në disa spitale”, tha Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë.

Taravari premtoi se brenda dy javësh do të ketë listë të re pozitive e cila, sipas tij, tashmë 15 vjet nuk është përshtatur kundrejt kërkesave  të pacientëve.

“Unë pres vetëm të emërohet drejtori i Fondit dhe brenda dy javësh, për herë të parë pas 15 vitesh do të kemi listë të re pozitive e cila kohë pas kohe do të përshtatet. Unë vlerësoj se çdo vit duhet  të ripërtërihet kjo liste mirëpo do të dalim edhe me ligj të ri për barnat me të cilin do të sigurojmë që të kemi barna të sigurt në vend dhe njëkohësisht do të kërkojmë përshkrim dhe përdorim racional të barnave”, u shpreh Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë.

Taravari tha se do të publikohen numrat e telefonit ku qytetarët mund të raportojnë problemet në shëndetësinë publike dhe private. Sipas tij, do të forcohen kontrollet e Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor. Ai paralajmëroi ndryshime dhe gjoba në shëndetësinë sekondare. Ai tha se në rast se spitalet nga qytetet e tjera kanë pajisjet e duhura dhe dërgojnë pacientë në Shkup, spitali do të paguajë gjoba./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button