Taravari u largua mbrëmë nga Qeveria – Ja si ‘vloi’ Facebook-u me reagime
Taravari u largua mbrëmë nga Qeveria – Ja si ‘vloi’ Facebook-u me reagime

Gazetare: Fatlume Dervishi
Kritika dhe akuza të ashpra nga partnerët e deritanishëm të Taravarit në VLEN pas hapit të mbrëmshëm. Zv.kryeministri Izet Mexhiti thotë se Taravari pengoi ndryshimit, tradhton qeverinë dhe kthehet tek lista e zezë
-“Ti nuk e solle ndryshimin. Ti e pengove ndryshimin.
– Ti nuk po kthehesh tek populli. Ti po kthehesh tek lista e zezë.
– Ti nuk po e braktis Qeverinë. Ti e tradhëtove Qeverinë.
– Ti nuk e përfaqëson frymën e anëtarësisë së ASh-së. Ti e mashtrove anëtarësinë e ASh-së.
– Ti nuk je heroi i kësaj historie. Ti je dëshpërimi i çdo shqiptari- intelektual apo i paarsimuar, punëtor ose afarist, burrë a grua- ti je zhgënjimi i secilit aktivist e simpatizant, i secilit shqiptar e shqiptare që e votoi dhe e mbështeti ndryshimin”, ka shkruar Izet Mexhiti, VLEN.
Për Zeqirija Ibrahimin, politikanët që mendojnë vetëm për përfitimet personale, nuk e kanë problem të sakrifikojnë aktivistët për këtë gjë.
“Kur bëhet normalitet që politikanët të flasin vetëm në terma të përfitimit/humbjes elektorale, ata prej përfitimit/humbjes për kombin/komunitetin kalojnë në përfitimin/humbjen e partisë së tyre, për të përfunduar në përfitimin/humbjen e tyre personale. Duke e normalizuar këtë, për një politikan të tillë nuk është më problem që krejt organizatën, me krejt aktivistët e devotshëm që mund t’i kenë besuar retorikës së tij, t’i sakrifikojë si asgjë për ta shpëtuar veten nga humbja ose për ta siguruar përfitimin”, ka shkruar po ashtu Zeqirija Ibrahimi, VLEN.
Nga VLEN thanë se janë aty në emër të 107 mijë votave. Ata thonë se janë “të vetëdijshëm për lojën politike të BDI-së, e cila – nga etja për pushtet dhe nga frika prej drejtësisë – synon një qeveri të Përzhinës, por kjo është e pamundur dhe nuk do të ndodhë asnjëherë. “Për ne është e pashpjegueshme vetëm se pse Arben Taravari bëhe pjesë e kësaj loje të Ali Ahmetit për ta shpëtuar veten dhe familjen e tij”, shkruajnë nga VLEN.
Ka reaguar edhe LSDM-ja opozitare. Sipas tyre dalja e Aleancës për Shqiptarët nga Qeveria është provë se ngadalë por me siguri, si qytetarët ashtu edhe partitë politike që janë ende pjesë e koalicionit qeveritar, po e shohin se Mickoski po e çon vendin në humnerë./ Alsat.mk