Tare dhe Ibrahimoviç, do të ndajnë të njëjtin ambient tek AC Milan

Igli Tare dhe Zlatan Ibrahimoviç do të ndajnë të njëjtin ambient pune tek AC Milan, në një fazë të re për klubin kuqezi. Edhe pse me role të ndryshme, të dy do të jenë të pranishëm në takimet operative dhe vendimmarrjet strategjike, ndërsa nis instalimi zyrtar i Tares në strukturat drejtuese të klubit.

Në pamje të parë, nuk shfaqen shenja për ndonjë përplasje të mundshme mes tyre. Përkundrazi, pritet që dy ish-sulmuesit – me karakter të fortë dhe një etikë pune të pakompromis – të gjejnë gjuhë të përbashkët për të çuar përpara projektin e Milanit.

Të dy kanë një histori të ngjashme: karriera të suksesshme në fushë, të ndjekura nga kalimi në role menaxheriale menjëherë pas tërheqjes nga futbolli.

Tare vjen si një drejtor me përvojë të thellë në menaxhimin sportiv, i rritur në një ambient sfidues si ai i Lotitos te Lazio. Ibrahimovic, në anën tjetër, ndodhet në fazën e parë të përfshirjes së tij si drejtues dhe ka pasur një sezon të vështirë, si në aspektin profesional, ashtu edhe personal.

Megjithatë, që nga takimi i tyre i parë në Londër, në mars, duket se ekziston një respekt i ndërsjellë dhe një gatishmëri për të bashkëpunuar. Me dy figura të tilla në krye, Milani përfiton nga përvoja, karizma dhe një qasje serioze ndaj futbollit.

LEXO EDHE:

Back to top button