Tarifa të reja nga 1 gushti, Trump paralajmëroi rritje deri në 70% për importet

Tarifa të reja nga 1 gushti, Trump paralajmëroi rritje deri në 70% për importet

Qeveria amerikane do t’u dërgojë vendeve të ndryshme letra me detajet e tarifave të rritura amerikane, që do të nisin nga zbatimi më 1 gusht, transmeton Euronews.

Lajmin e ka bërë të ditur presidenti Donald Trump, i cili ka paralajmëruar nisjen e 12 letrave nga e premtja dhe shumë të tjerave në ditët në vazhdim.

“Tarifat e importit do të variojnë nga 60 ose 70 për qind në 10 deri në 20 për qind”, ka deklaruar Trump, i cili ka vendosur 9 korrikun si ditën e fundit për negociatat mbi taksat e importit, teksa vende të ndryshme përpiqen të arrijnë marrëveshje.

Më parë, presidenti amerikan kishte deklaruar se për shumë vende do të kishte tarifa që do të ndryshonin në vartësi të ekonomive të tyre, nga 10 deri në 50 për qind.

Për këtë herë ai nuk tha se cilat mallra do të përballen me tarifat amerikane, apo nëse ato do të zbatohen për produkte specifike.

“Jam i prirur të dërgoj një letër dhe të them se cilat do të jenë tarifat që një vend do të paguajë. Kështu është shumë më e thjeshtë”, tha Trump.

Tarifat janë taksa të vendosura ndaj mallrave që hyjnë në një vend dhe që paguhen nga importuesi. Kompanitë tregtare mund të zgjedhin t’i përballojnë kostot e larta, por në fund gjasat janë që barrën t’ua kalojnë konsumatorëve amerikanë.

Qëllimi është që më shumë para të qarkullojnë në qeverinë amerikane, por edhe për t’i bërë produktet e huaja më të shtrenjta, në mënyrë që të rritet kërkesa për ato amerikane.

LEXO EDHE:

Back to top button