Tarifat amerikane për panelet diellore nga Azia Juglindore arrijnë në 3521%
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tarifa të reja për importet e paneleve diellore nga katër vende të Azisë Juglindore, duke arritur deri në 3521 për qind, duke sjellë një fitore të madhe për prodhuesit vendas, por edhe duke penguar zhvillimin e burimeve të rinovueshme të energjisë në vend, raporton Bloomberg .

Tarifat, të shpallura dje, janë rezultat i një hetimi njëvjeçar mbi praktikat tregtare që zbuluan se prodhuesit e paneleve diellore në Kamboxhia, Vietnam, Malajzi dhe Tajlandë “përfitonin padrejtësisht nga subvencionet e qeverisë dhe po shisnin produktet e tyre në Shtetet e Bashkuara me çmime nën koston e tyre të prodhimit”. Hetimi u kërkua nga prodhuesit vendas të paneleve diellore dhe u nis gjatë mandatit të ish-presidentit Joe Biden.
Ndërsa nga këto tarifa do të përfitojnë prodhuesit amerikanë, ato do të dëmtojnë ndjeshëm edhe prodhuesit amerikanë të energjisë së rinovueshme, të cilët janë mbështetur prej kohësh në komponentët e lirë të importuar, duke rritur më tej pasigurinë në një sektor tashmë të ekspozuar ndaj ndryshimeve të shpeshta politike dhe rregullatore në Uashington.
Ndërsa premtimet për subvencione dhe kërkesë të nxitura nga Akti i Reduktimit të Inflacionit të Biden kanë çuar në një valë interesi dhe investimesh në fabrikat e reja vendase të paneleve diellore në të gjithë Shtetet e Bashkuara, prodhuesit kanë paralajmëruar se këto fabrika kërcënohen nga konkurrentët e huaj që shesin pajisje nën çmimin e tregut.
“Kjo është një fitore vendimtare për prodhimin amerikan,” tha Tim Brightbill, bashkë-kryetar i praktikës së tregtisë ndërkombëtare në Wiley dhe avokat kryesor i koalicionit të kompanive diellore që ngritën çështjen.
“Gjetjet konfirmojnë atë që ne e dimë prej kohësh: se kompanitë kineze të energjisë diellore po mashtrojnë sistemin, duke minuar kompanitë amerikane dhe duke hequr vendet e punës të punëtorëve amerikanë”, shtoi ai.
Tarifat mbarëkombëtare arritën deri në 3,521% për Kamboxhia, duke reflektuar vendimin e atij vendi për të ndaluar pjesëmarrjen në hetim, sipas Ministrisë së Tregtisë.
Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara importuan pajisje diellore me vlerë 12.9 miliardë dollarë (11.19 miliardë euro) nga këto katër vende, që është rreth 77 për qind e totalit të importeve të moduleve diellore.
Kompanitë e paidentifikuara nga Vietnami përballen me tarifa deri në 395.9 përqind, ndërsa një normë prej 375.2 përqind është vendosur për Tajlandën. Për Malajzinë është vendosur një normë prej 34.4 për qind. Jinko Solar duhet të paguajë tarifa prej rreth 245 për qind për eksportet nga Vietnami dhe 40 për qind për eksportet nga Malajzia. Trina Solar përballet me tarifa prej 375 përqind në Tajlandë dhe më shumë se 200 përqind në Vietnam. Modulet JA Solar nga Vietnami mund të tatohen me rreth 120 përqind.
Çmimet e aksioneve të kompanive kineze diellore mbetën kryesisht të pandryshuara pasi tregu u hap sot: Trina ra 1.6 për qind, Jinko ra 0.9 për qind dhe JA Solar ra 0.1 për qind, pasi vendimi i SHBA pritej kryesisht dhe kompanitë tashmë kishin zhvendosur një pjesë të prodhimit në vende pa tarifa si Indonezia dhe Laosi.
“Ne nuk mendojmë se normat më të larta do të kenë një ndikim të rëndësishëm financiar, veçanërisht pas tarifave të fundit reciproke,” tha BofA Global Research në një shënim.