Të akuzuarit e sulmit terrorist në Banjskë tani sigurim personal i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq

Të akuzuarit e sulmit terrorist në Banjskë tani sigurim personal i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq

Personat e përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit, tani janë parë duke ofruar siguri personale për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në qendër të Beogradit.

Pamjet janë publikuar nga shoqërisa civile dhe opozita serbe tregojnë se të njëjtët individë që u identifikuan si pjesëmarrës në sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës, janë aktivizuar gjatë protestës së 28 qershorit në sheshin Sllavija, për të mbrojtur institucionet serbe dhe vetë presidentin Vuçiq.

Milorad Jevtiq (i njohur si Micko), një nga figurat kyçe të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile” dhe pjesëmarrës i konfirmuar në sulmin e Banjskës.

Letërnjoftimi i tij është sekuestruar nga Policia e Kosovës, ndërsa një automjet i përfshirë në sulm ishte i regjistruar në emrin e tij. Gjatë protestës në Beograd, ai është parë i maskuar si punonjës i Kryqit të Kuq, për të shmangur identifikimin.

Zarko Cvetkoviq, një tjetër figurë e njohur e strukturave paramilitare në veri të Kosovës dhe bashkëpunëtor i afërt i të vrarit Milun Milenković “Lune”.

Ai është anëtar i “Mbrojtjes Civile” dhe u përmend nga autoritetet kosovare si i dyshuar për aktivitet terrorist. Në pamjet e fundit ai shfaqet i pajisur me radio-lidhje dhe uniformë të një njësie të kërkim-shpëtimit.

Vladimir Vuçetiq dhe Vukashin Jarediq (vëllai i Ugljesha Jarediq), gjithashtu të lidhur me rastin Banjskë, janë identifikuar në vendin e protestës në Beograd, duke qëndruar përreth ndërtesës së Presidencës serbe.

Sipas opozitës dhe aktivistëve serbë, këta individë janë tashmë pjesë e strukturës joformale të mbrojtjes personale të Vuçiqit, duke ngritur shqetësime serioze për lidhjet midis presidentit serb dhe grupeve të armatosura të paligjshme që veprojnë në Kosovën veriore.

Të gjithë këta persona janë pjesë e aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, nën dyshimet për terrorizëm, vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë terroriste.

Kujtojmë se më 24 shtator 2023, në fshatin Banjskë, një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa u zhvillua një përballje e rëndë e armatosur që tronditi rajonin dhe u dënua gjerësisht ndërkombëtarisht.

Ndërkohë, protestat e studentëve në Beograd, të zhvilluara më 28 qershor, përfunduan me përleshje me policinë.

77 persona u ndaluan dhe 48 policë u plagosën, sipas ministrit të Brendshëm, Ivica Daçiq.

LEXO EDHE:

Back to top button