Të ftohtit ekstrem detyron mbylljen e shkollave në Skandinavi
Të ftohtit ekstrem detyron mbylljen e shkollave në Skandinavi

Të ftohtit ekstrem dhe stuhia e borës ka detyruar shtetet skandinave ta ndërpresin transportin dhe t’i mbyllin shkollat, shkruan The Guardian.
Temperaturat ranë nën -40 gradë Celsius në rajonin nordik për të dytën ditë radhazi të mërkurën. Në Kvikkjokk-Årrenjarka në Suedi, temperaturat ranë në -43.6C, temperatura më e ulët e janarit e regjistruar në Suedi në 25 vjet, njoftoi agjencia suedeze e lajmeve TT.
Temperaturat jashtëzakonisht të ftohta, bora dhe erërat e forta penguan transportin në të gjithë rajonin nordik, ndërsa disa shërbime të trenave dhe trageteve u pezulluan. Disa shkolla në Skandinavi u mbyllën.
Policia në pjesën më të madhe të Danimarkës u bëri thirrje shoferëve të shmangin udhëtimet e panevojshme pasi era dhe bora goditën pjesët veriore dhe perëndimore të vendit.
Vala e ajrit të ftohtë nga Siberia dhe rajoni i Arktikut ka përfshirë gjithashtu Rusinë perëndimore, me temperaturat në Moskë dhe zona të tjera që kanë rënë në -30C, shumë nën temperaturën mesatare për fillimin e janarit.