Optimizmi po rritet në dhomat e zhveshjes së Barcelonës për transferimin e Niko Uiliams. Sipas “Mundo Deportivo”, disa lojtarë tashmë besojnë se anësori i kombëtares spanjolle do të veshë fanellën blaugrana sezonin e ardhshëm.
22-vjeçari thuhet se i ka dhënë dritën jeshile transferimit dhe ka arritur një para-marrëveshje me Barcelonën për një kontratë gjashtëvjeçare. Pas përpjekjes së dështuar të verës së kaluar, klubi katalanas po vepron me kujdes dhe vendosmëri për të finalizuar marrëveshjen.
Niko është i bindur për projektin sportiv të Hansi Flik dhe e sheh Barcelonën si klubin ideal për të vazhduar zhvillimin e tij. Marrëdhënia e tij e mirë me lojtarë si Lamine Jamal, Alehandro Balde, Pedri, Ferran Torres dhe Dani Olmo ka forcuar bindjen se transferimi është çështje kohe.
Bajern Munihu mbetet në garë dhe ka paraqitur një ofertë më të lartë financiarisht, duke i premtuar Niko-s statusin e titullarit, megjithatë, prioriteti i tij është kalimi te Barça. Edhe pse marrëveshja nuk është zyrtarizuar ende, Barcelona është gjithnjë e më e bindur se transferimi do të mbyllet në javët e ardhshme, me Niko-n që shihet si pjesë kyçe e projektit të ri të Flik.








