Të hënën vazhdon gjykimi për vrasjen e Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovski
Të hënën vazhdon gjykimi për vrasjen e Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovski

Gazetar: Suad Bajrami
Në Gjykatën Penale të Shkupit të hënën pritet të vazhdojë gjykimi për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski nga Velesi, pasi Boro Videvski njëri prej të akuzuarve i cili u shtrua në spital është rikthyer në Burgun e Shutkës. Bashkë me Videvskin, në bankën e akuzuarve do të ulen edhe i akuzuari i parë Lupço Palevski Pallço, Velibor Manev dhe Vllatko Keshishov, por edhe babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski.
Në seancë, pritet që të dëshmojë nëna e Vanjës, Zorica Gjorçevska, por edhe dëshmitarët Ana Kirkova dhe Todor Kirkov.
E mitura Vanja Gjorçevska u raportua e zhdukur më 27 nëntor të vitit të kaluar. Pas një gjashtë ditësh kërkime intensive, policia arriti ta gjejë trupin e pajetë në rrethinën e Shkupit, pasi kishte arrestuar 3 persona, të cilët më pas do të akuzoheshin se janë pjesëmarrës në vepër.
Sipas policisë dhe Prokurorisë Vanja ishte vrarë në ditën që ishte raportuar si e zhdukur, ndërkaq ekzekutor ka qenë Pallço, i cili ishte arratisur nëpërmjet Serbisë në Turqi, ndërkaq pas gjashtë muajsh u ekstradua në vend
Rrëmbimi i Vanjës, sipas Prokurorisë është kryer me veturën Citroen të Pançe Zhezhovskit, një 74-vjeçar nga Velesi, i cili ishte raportuar si i zhdukur 3 ditë para zhdukjes së Vanjës. Vetura, i është marrë pasi Zhezhovskin e kishin vrarë dhe e kanë groposur në Veles.
Në akuzë, Prokuroria ka përfshirë edhe babain e Vanjës, i cili dyshohet që t’i ketë dhënë Pallços informata për orarin e lëvizjes së vajzës me qëllim që ai bashkë me grupin ta kryenin rrëmbimin e saj. Motivi i rrëmbimit dhe vrasjes së tyre, sipas Prokurorisë, është kërkesa për shpërblim.
Për kidnapimin dhe vrasjen e Vanjës dhe Zhezovskit, sipas dispozitave të Kodit Penal, për Palevskin, Videvskin, Manevin dhe Keshishovin parashihet dënim nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm. Ndërkaq, babai i Vanjës që akuzohet vetëm për rrembin, nëse dëshmohet fajësia, mund të dënohet me minimalisht 4 vjet burg. Në seancën e parë ata u deklaruan se nuk ndihen fajtor për rastin./Alsat.mk