Të mërkurën, përpjekja e fundit nën presidencën gjermane për nisjen e negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë

Përpjekja e fundit e presidencës gjermane për zhbllokimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Të mërkurën pritet të mblidhen ambasadorët evropian për diskutimin e propozim-konkluzioneve të reja, të cilat jozyrtarisht kërkojnë kompromis rreth formulimit “interpretim i gabuar i historisë”. Ministri gjerman për Evropën, Rot tha se Sofja nuk mund ta mbajë pezull zgjerimin, se BE-ja duhet t’i mbajë premtimit qoftë edhe me bashkëpunim euro-amerikan. “Zgjedhja e Xho Bajdënit për president të ri amerikan ofron shans për angazhim të ri, të përbashkët, më të fuqishëm mes BE-së dhe SHBA-së për Ballkanin Perëndimor” shkruan Rot për të përditshmen Welt.

Kryeministri, Zaev hodhi poshtë akuzat se Shkupi e ka shkelur marrëveshjen e 2017-tës, e cila sipas tij e obligon Sofjen ta mbështesë euro-integrimin e vendit. Tha se negociatat dypalëshe vazhdojnë si për planin aksionar ashtu edhe për dokumentet me të cilat vendi konfirmon se nuk ka pretendime as ndaj territorit të fqinjit lindor e as për pakicë maqedonase në Bullgari.

Dëshiron ta konfirmojmë përmes notave, do ta konfirmojmë. Dëshiron ta konfirmojmë në një memorandum, deklaratë, protokoll, çfarëdo që të jetë dhe e cila do të mund të miratohet në konferencë ndër-qeveritare. Këto ishin dy çështjet që Buçkovski ia përcolli Borisovit në mënyrë transparente. Sot kemi koordinim special në këtë temë. Vërtetë nëse i potencon këto dy çështje, jemi të gatshëm menjëherë t’i adresojmë. Vazhdojmë më tej edhe përmes planit aksionar edhe përmes inkurajimit të komisionit të historianëve”-tha Zoran Zaev, Kryeministër.

Zv/kryeministri, Dimitrov tha se vendi vazhdon agjendën evropiane.

Sot e nënshkrova vendimin për angazhimin e 16 agjencive të jashtme të përkthimit, me 117 persona të angazhuar, të cilët do të fillojnë me përkthimin e legjislacionit evropian në gjuhën maqedonase. Ky është një nga obligimet e procesit anëtarësues, me rrumbullakimin e të cilit, gjuha maqedonase do ta gëzojë statusin e gjuhës së barabartë dhe zyrtare të BE-së”-pohoi Nikolla Dimitrov, zv/kryeministër për Çështje Evropiane.

Kryediplomatja bullgare, Zaharieva sërish foli për veton, duke e arsyetuar me mos-zbatimin e marrëveshjes së 2017-tës dhe duke thënë se është manipulim teza se Sofja mohon të drejtën e vetë-përcaktimit. Shtoi se çështja nuk ka lidhje me zgjedhjet e marsit, dhe se negociatat me BE-në vendi mund t’i fillojë sapo të arrihet kompromisi.

 

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button