Të shtëna me armë në një shkollë në Beograd, vriten 8 nxënës dhe roja e shkollës
Të shtëna me armë në një shkollë në Beograd, vriten 8 nxënës dhe roja e shkollës

Gazetare: Melihate Rustemi
Tetë nxënës dhe një roje sigurie u vranë nga të shtënat me armë zjarri në Shkollën Fillore “Vlladisllav Ribnikar” në Vraçar të Beogradit. Gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësues aktualisht ndodhen në trajtim mjekësor. Masakrën e ka kryer nxënësi 14 vjeçar i cili ka mësuar në klasën e shtatë. Shefi i Departamentit të Policisë së Beogradit, Vesellin Milliq, bëri të ditur se i dyshuari kishte një muaj që planifikonte sulmin dhe se ai vetë kishte raportuar se e kishte kryer krimin. Policia tha se i dyshuari kishte një listë të nxënësve që planifikonte t’i likuidonte, porse motivi i sulmit ende nuk dihet.
“Siç ka deklaruar vet ai, këtë e ka planifikuar, kjo është lista e fëmijëve që kishte planifikuar t’i likuidojë. Vet e ka përgatitur planin, e gjetur në tavolinën e tij të punës, hyrjen në shkollë, daljen nga shkolla dhe siç tha vet ka caktuar qëllimet prioritare. Skica duket sikur ndonjë video lojë apo film horror që tregon se në detaje ka planifikuar se si të hyjë, në cilën klasë dhe cilin fëmijë ta likuidojë, në klasën VII-2, VIII-4, VI-4, VIII-2, VII-4 DHE VII-3”, deklaroi Veselin Miliq, Shef i Departamentit të Policisë së Bogradit.
Sipas policisë, në sulm janë përdorur dy pistoleta njëra me kalibër nëntë milimetra me tre fishekë dhe një pistoletë e kalibrit të vogël dhe se i dyshuari i kishte sjellë edhe katër kokteje molotov në shkollë.
Millan Nedelkoviq, kryetar i komunës së Vraçarit, ku ndodhet shkolla, u tha gazetarëve se shkolla ka kamera sigurie, por se nuk ka detektorë metalikë.
“Të gjithë fëmijët e tjerë janë evakuuar nga shkolla. Ka kamera të sigurisë, por detektorë metalikë nuk ka në shkollë. Kjo është tragjedi e rëndë jo vetëm te në Vraçar, por nuk mbahet mend që një gjë e tillë të ketë ndodhur në Beograd por edhe në gjithë Serbinë”, u shpreh Millan Nedelkoviq, kryetar i komunës së Vraçarit.
Prindërit e nxënësve të tmerruar me ngjarjen. Thonë se ishte vështirë të arrinin deri te informacionet për fatin e fëmijëve të tyre.
“Nuk kam mundur të marr informacione. Telefonova mësimdhënësen e fëmijës tim dhe ajo më njoftoi se vajza ime është e sigurt. Më pas vajza më dërgoi një porosi se është mirë dhe rrëfeu për tmerrin”, tha një prind.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd njoftoi se 14 vjeçari nuk është penalisht përgjegjës.
Nga ky institucion thanë se me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, babait të djalit të dyshuar, V. K. (48), i është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë, me dyshimin se ka kryer veprën penale “krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”. Prokuroria ka bërë të ditur se po heton të gjitha rrethanat e këtij rasti, pra se si e ka marrë armën i mituri i dyshuar, si dhe motivet e krimit. Ministri i Brendshëm, Bratislav Gashiq, shtoi se sipas informacioneve ende jozyrtare, i dyshuari kishte shkuar në poligon për qitje me të atin.
Autoritetet serbe kanë deklaruar se do të mbajnë tri ditë zie. /Alsat.mk