Një ngjarje e rëndë ka tronditur Universitetin Brown në qytetin Providence, SHBA, ku të shtëna me armë zjarri janë regjistruar brenda kampusit universitar. Si pasojë e sulmit, dy persona kanë humbur jetën dhe rreth 20 të tjerë janë plagosur, ndërsa tetë prej tyre ndodhen në gjendje kritike për jetën, bëjnë me dije autoritetet.
Sipas policisë së Rhode Island, autori i dyshuar ndodhet ende në arrati dhe kërkimet për kapjen e tij vijojnë. Ngjarja ka ndodhur në godinën e inxhinierisë Barus & Holley, në një moment kur aty po zhvilloheshin provimet.
Menjëherë pas të shtënave, rrugët përreth kampusit u bllokuan për disa orë dhe masat e sigurisë u përforcuan ndjeshëm. Forcat e rendit janë vënë në kërkim të një burri të veshur me rroba të errëta, ndërsa gjatë natës janë analizuar pamjet e kamerave të sigurisë për identifikimin e autorit. Autoritetet kanë paralajmëruar se këto pamje mund të bëhen publike për të ndihmuar hetimin.








