“TEC Manastiri”, Prokuroria nuk jep detaje rreth procedurës hetimore

Prokuroria e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nuk jep detaje për denoncimet e VMRO-DPMNE- për TEC Manastirin. Opozita maqedonase pretendon se vëllai i kryeministrit Zoran Zaev, Vice Zaev ka kërkuar nga kompania “Rubiton” ryshfet prej 250 mijë euro. Nga Prokuroria e Villma Ruskovskës për ALSAT thonë se janë duke punuar për rastin por nuk mund të japin informacione.
Lënda është në procedurë para hetimore dhe për të vepron prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit dhe Korrupsionit. Duke pasur parasysh sekretin e procedurës para hetimore, për momentin Prokuroria nuk mund të japë më shumë detaje – thonë nga Prokuroria për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të organizuar.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski, në emisionin 360 gradë i cili do të transmetohet sonte në Alsat, përgënjeshtrimet e “TEC Manastirit”, LSDM-së dhe Vice Zaevit i ka cilësuar si të ashpra.
Është normale që të mos e konfirmojnë atë, ju prisni të dalin e të thonë se ‘Bravo Mickovski’ në të drejtë ishe dhe na kape. Sigurisht që nuk do të ndodh ajo. Ishin të ashpër, derdhën një sërë fekalesh ndaj meje edhe instanca e parë edhe e dyta edhe instanca e tretë, por unë jam mësuar me këtë, pasi katër vite e duroj këtë – deklaroi Hristijan Mickovski, VMRO-DPMNE.
Pak ditë më parë, VMRO-DPMNE-ja në një brifing me gazetarët shpalosi rastin duke e akuzuar vëllain e kryeministrit Zoran Zaev, Vice Zaev për përfshirje në aferë ryshfeti. Rasti ka të bëjë me një tender në “TEC Manastir” të cilin në vitin 2018 e ka fituar kompania “Rubiton”. Të dëmtuarit e kanë paraqitur rastin në MPB por nga VMRO thonë se emri i Vice Zaevit është fshirë nga raporti. “TEC Manastir”, LSDM dhe Vice Zaev e akuzuan Mickoskin për mashtrim dhe i përgënjeshtruan pretendimet e tij.
Mefail Ismaili