Teksasi del kundër Bidenit, do ta ndërtojë vetë murin kufitar

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, ka njoftuar për planin e ndërtimit të murit në kufi me Meksikën, ndonëse Shtëpia e Bardhë e ka pezulluar projektin e nisur nga ish-presidenti Trump.

Abbott, i cili vjen nga radhët e Partisë Republikane, e bëri të ditur planin gjatë një konference për gazetarë në Samitin e Sigurisë Kufitare, duke thënë se diskutimet për këtë temë do të zhvillohen javën e ardhshme.

“Ne duhet të ndërtojmë një kufi. Kam folur me njerëzit këtu dhe mënyra se si ata po vërshohen është e papranueshme. Është katastrofale ajo që ka bërë administrata Biden”, tha ai.

Në muajin e parë në pushtet, presidenti Joe Biden e pezulloi ndërtimin e murit kufitarë në kufirin me Meksikën, që ishte një ndër planet kryesore të paraardhësit të tij në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump.

Megjithatë, në kohën kur numri i imigrantëve ilegalë po arrin në nivelin më të lartë në dy dekadat e fundit, vendimi për pezullimin e ndërtimit të murit kufitar është kritikuar nga shumë anëtarë të Partisë Republikane.

Guvernatori i Teksasit tha gjatë një paraqitjeje televizive se sipas një deklarate të katastrofës, kushdo që kapet duke e kaluar kufirin ilegalisht përballet me arrestim dhe dënim me burgim.

LEXO EDHE:

Back to top button