Temperaturat e larta/ Qeveria miraton rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë
Temperaturat e larta/ Qeveria miraton rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë

Gazetare: Linda Ebibi
Qeveria ka miratuar rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) për shkak të valës së të nxehtit dhe aktivizohet faza e tretë e plan-veprimit për parandalimin e pasojave nga temperaturat e larta. Masat do të zgjasin deri më 8 korrik. Me këtë vendim përjashtohen nga detyrimet e punës gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç. Procesi i punës duhet të shtyhet nga ora 11:00 deri në orën 17:00 për punëtorët e ekspozuar në diell. Ky rekomandim nuk vlen për punonjësit në infrastrukturën kritike sikurse shëndetësi, polici, ushtri, transport, energji.
Qytetarët thonë se temperaturat janë të papërballueshme, ndërsa mundohen të gjejnë hije dhe të konsumojnë ujë më tepër. Ata thonë se mundohet ti respektojnë masat.
“A i respektoni masat që të mos dilet jashtë gjatë orëve kritike prej 11 deri në orën 17? Nuk ka shanse. Pse? Sepse jetoj në atë mënyrë që unë mendojë se është më mirë”, tha një qytetar.
“Është rënd, shumë nxehtë. A e keni vështir? Po si jo. A i respektoni masat që mos me dal? Mos me dal por kam punë, patjetër te mjeku kontrolle, patjetër me shku, ama shumë nxehtë është”, u shpreh një tjetër qytetar.
“Mirë, unë nuk kam probleme. A i respektoni masat? Normalisht, shumë ujë dhe nën hije”, theksoi një qytetar.
“Shumë vështirë, shumë nxehtë. A i respektoni masat të mos dilni jashtë? Po, ama kur është patjetër duhet”, u shpreh një qytetare.
“Për momentin me të vërtetë është shumë nxehtë, por ku punojmë janë hapësirat e freskëta, megjithatë është e papërballueshme, nuk durohet. A i respektoni masat për të mos dal jashtë? I respektojë po, megjithatë pata disa punë private dhe e kisha patjetër të dalë, kështu që i respektojë”, nënvizoi një tjetër qytetare.
Qeveria gjithashtu ka marrë vendim që institucionet shëndetësore të angazhojnë personel shtesë. Gjatë daljes së pacientëve nga spitali duhet të merren parasysh kushtet e motit dhe të sigurohet mbështetje në kushte shtëpiake. Institucionet edukuese arsimore dhe institucionet për kujdesin dhe edukimin e fëmijëve duhet të përmbahen nga aktivitetet në natyrë nga ora 11:00 deri në 17:00. Qeveria ka autorizuar edhe Qendrat e Punës Sociale, Kryqin e Kuq dhe njësitë e vetëqeverisjes lokale t’i intensifikojnë mbështetjen në terren për kategoritë e rrezikuara. Ndërsa transportet publike duhet të jenë të klimatizuara. /Alsat.mk