Temperaturat e ulëta, rrezikojnë kulturat bujqësore
Temperaturat e ulëta, rrezikojnë kulturat bujqësore

Bujqit nga rajoni i Shkupit vitin e kaluar i humbën kulturat bujqësore për shkak të kushteve atmosferike, ndërsa këtë vit temperaturat e ulëta rrezikojnë t’i dëmtojnë kulturat e tyre. Bujqit e Straçincës vazhdojnë të presin kompensimin nga autoritetet komunale. Këtë të fundit thonë se presin miratimin nga Qeveria.
“Ja këto janë prishur, edhe këto janë prishur, ja këto të zezat që janë. Këto që çelen pastaj janë të mira por dora e parë është shkatërruar nga i ftohti, 40 % janë të dëmtuara”, deklaroi Ismail Nuredinin – Bujk i fshatit Straçincë.
Ismail Nuredinit nga fshati Straçincë, vitin e kaluar, breshëri ia shkatërroi tërësisht shalqinjtë disa ditë para shitjes. Ndërsa këtë vit, përsëri e filloi me dëme nga i ftohti i prillit që i shkaktoi dëme të mëdha në të mbjellat e dredhëzave.
“Sa pritet të merrni nga dredhëzat? Unë kam më pak diku 2500 – 3000 metër, do merrja diku pesë apo gjashtë mijë euro por nga dëmi gjysma janë shkatërruar. Vëllai ka më shumë diku një hektar por çfarë të bëjmë kjo është”, tha Ismail Nuredinin – Bujk i fshatit Straçincë.
Edhe pse dëmet nga breshëri i vitit të kaluar i paraqitën në komunë të Gazi Babës, Ismaili dhe disa bujq tjerë të Straçincës, vazhdojnë të presin kompensimin apo ndihmën e së paku të harxhimeve që kanë bërë.
“Jeta vazhdon, dhe patjetër të punojmë. Edhe pse ende dëmet nuk janë paguar vazhdojmë të mbajmë shpresë se do të paguhen por vazhdojmë të presim. Nuk e di sa e kuptojnë por pa bujq nuk ka jetë, nëse nuk punojmë ne atëherë duhet nga jashtë të importojmë e ajo kushton dhe kualiteti ynë është më i mirë sepse nuk përdorim pesticide por këtu kultivohen bio”, u shpreh Ismail Nuredinin – Bujk i fshatit Straçincë.
Sa i përket kompensimit të dëmeve të vitit të kaluar të shkaktuara nga breshëri, bujqit e fshatit Straçincë, paraqitën dëmet në komunë të Gazi Babës, me çka u vizituan edhe në terren nga inspektorati për të konstatuar dëmet. Sipas Komunës së Gazi Babës, dokumentacionin e plotë së bashku me dëmet e konstatuar në terren e kanë dorëzuar në Qeveri më pas ku edhe pritet të kompensohen me vendim të organit ekzekutiv. /Alsat.mk