Ten Hag, nis “javën e ferrit” për të përgatitur ekipin për sezonin e ri

Në një përpjekje për t’i rikthyer gjërat në rrugën e duhur në Man. Junajted, Erik ten Hag po planifikon të zhvillojë një kamp të ashpër stërvitor parasezonal.

Trajneri i Man. Junajtedit beson se skuadra e tij mund të luftojë për titull sezonin e ardhshëm dhe shpreson t’i çojë “Djajtë e Kuq” në një fillim të fuqishëm në sezonin e ri, duke zbatuar një seancë rigoroze stërvitore gjatë para-sezonit duke filluar nga java e parë e korrikut.

Sipas raportimeve në Angli, holandezi thuhet se ka udhëzuar stafin e tij në Karington që të bëjë gjithçka gati deri në fillim të korrikut. Ai vetë do të kthehet në zyrën e tij javën e ardhshme dhe thuhet se do të zhvillojë katër ditë seanca stërvitore të dyfishta ku vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rritjes së qëndrueshmërisë së lojtarëve. Stafi i klubit thuhet se i ka quajtur planet parasezonale si “java e ferrit”.

“Djajtë e kuq” ende nuk kanë bërë ndonjë blerje të re deri më tani pasi kanë parë tre oferta për Mejson Maunt të refuzuara nga Çellssi. Ten Hag planifikon të shtojë një sulmues, një mesfushor dhe një portier në skuadrën e tij këtë sezon. Gjigantët e Premier Ligës do të jenë në SHBA për përgatitjet parasezonale ku do të përballen me Vreksamin, Arsenalin, Real Madridin, Borusia Dortmundin dhe Atletik Bilbaon./Lajmi/

LEXO EDHE:

Back to top button