Ten Hag optimist: Nuk dorëzohemi në objektivat tona

Man. Junajted arriti një barazim zhgënjyes 1-1 ndaj Brentfordit, që ka ndërlikuar së tepërmi objektivat e “Djajve të Kuq”. Jo vetëm kaq, por edhe pozitat e trajnerit Erik ten Hag janë lëkundur së tepërmi, pasi skuadra e tij rrezikon një vend në Ligën e Kampionëve, sezonin tjetër.
“Nuk e meritonim të fitonim, por nëse je duke fituar duhet t’i marrësh tri pikët. Duhet të tregojmë më shumë pasion dhe dëshirë në shumë momente të lojës. Në sport duhet të fitosh edhe kur nuk luan mirë dhe ne pothuajse e arritëm atë. Ky barazim është zhgënjimi i madh që nuk e kaluam atë në vijë. Kishte shpirt dhe luftë, por jo mjaftueshëm” tha trajneri Ten Hag.
Ten Hag pohoi se ishte indiferent ndaj numrit të goditjeve të pranuara nga skuadra e tij për sa kohë që ata vazhdonin të fitonin.
“Për sa kohë që marrim rezultate, s’më intereson sa shumë gjuajnë në portën tonë kundërshtarët. Rezultatet tona janë mjaft të qëndrueshme që nga janari: Pranojmë gjuajtje, por nuk pranojmë gola”.
Ten Hag beson se United ende mund të sigurojë Ligën e Kampionëve.
“Ka ende shumë ndeshje dhe ky barazim mund të jetë një pikë e rëndësishme në fund të sezonit. Nuk dorëzohem në objektivat e mi dhe të klubit”, tha Ten Hag.