Tensione dhe kaos në seancën e Kuvendit të Shqipërisë
Tensione dhe kaos në seancën e Kuvendit të Shqipërisë

Gazetare: Xhesika Sallahi
Seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë, sërish, nisi dhe mbaroi me tensione të krijuara nga deputetët e opozitës. Zhurmë, britma, euro false të hedhura në parlament dhe flakë në foltore karakterizuan aksionin opozitar.
Jashtë Kuvendit, deputeti opozitar Flamur Noka hodhi miell mbi gardistët, të cilët nuk lejuan hyrjen e tij në parlament, si dhe shtroi miell në formën e vizave të kokainës në shkallët e Kuvendit.
“Kë përfaqësojmë ne? Përfaqësojmë popullin opozitar. Popullit opozitar nuk i lejohet të ushtrojë asnjë e drejtë. Na mohuan të drejtat. Na mohuan fjalën. Ndaluan të drejtat kushtetuese. Tentuan ta shkelin opozitën, ta zhbëjnë opozitën”, tha Flamur Noka, deputet i Opozitës.
Megjithatë, mes kaosit dhe britmave, mazhoranca miratoi ligjet në rendin e ditës. Pas përfundimit të seancës plenare, që sërish zgjati vetëm pak minuta, aksionit opozitar iu shtua edhe goditja me vezë e automjeteve të ministrit të brendshëm, Balla, dhe të sekretarit të përgjithshëm, Gjoçaj. Opozita paralajmëroi se pas datës 20 shkurt do të shohin hapat e radhës dhe do të ketë një mosbindje civile për këtë qeveri. /Alsat.mk