Tensione te Interi, reagon presidenti Marotta
Tensione te Interi, reagon presidenti Marotta

Presidenti i Interit, Beppe Marotta, është përpjekur të zbusë tensionin rreth dëshirës së supozuar të Hakan Calhanoglu për t’u bashkuar me Galatasaray-n, pas mesazhit të fortë të kapitenit Lautaro Martinez. “Nuk kemi folur ende me të,” tha Marotta.
“Nerazzurrët” u eliminuan nga Kupa e Botës për Klube e FIFA-s në raundin e 1/16-ave, pas një humbjeje 2-0 ndaj Fluminense, përcjellë KosovaPress.
Megjithatë, vëmendja u zhvendos nga rezultati për shkak të deklaratave të ashpra të Lautaro Martinez në intervistat pas ndeshjes, ku ai dukej se sulmoi drejtpërdrejt shokun e skuadrës, Calhanoglu.
“Nuk do të përmend emra. Jemi këtu për të dhënë gjithçka, por pashë shumë gjëra që nuk më pëlqyen. Unë jam kapiteni, udhëheqësi i grupit, ndaj duhet të flas,” tha ai për “DAZN”.
“Mesazhi është i qartë: ata që duan të qëndrojnë dhe të luftojnë për trofe të rëndësishëm, janë të mirëpritur; për të tjerët, lamtumirë.”
Edhe pse Lautaro nuk përmendi emra, presidenti Marotta nuk e shmangu këtë temë dhe foli hapur duke thënë:
“Këto janë fjalët e një kapiteni që thekson një të vërtetë të përjetshme: kur një lojtar nuk dëshiron më të jetë këtu, është e drejtë që të largohet,” deklaroi Marotta.
“Deri tani, askush nuk na ka thënë shprehimisht se dëshiron të largohet. Mendoj se i referohej Calhanoglu-t, me të cilin do të flasim dhe do të përpiqemi ta zgjidhim situatën në mënyrën më të mirë për të gjithë.”
Mesfushori turk nuk mori pjesë fare në Kupën e Botës për Klube për shkak të një dëmtimi të pësuar gjatë angazhimeve me kombëtaren.
I pyetur nëse ka vërejtur mungesë përkushtimi apo dëshire nga Calhanoglu kohët e fundit, Marotta tha:
“Gjithmonë duhet ta falënderojmë për gjithçka që ka bërë. Afati kalimtar nis zyrtarisht nesër, dhe me siguri do të ketë disa pozicionime të forta.”
“Deri tani nuk kemi marrë asnjë sinjal të drejtpërdrejtë prej tij, por jemi të gatshëm ta dëgjojmë, ashtu si edhe lojtarët e tjerë. Është e kuptueshme që ‘bateritë’ e tyre po shterojnë pas një sezoni të gjatë.”
Në një tjetër deklaratë për ‘Sport Mediaset’, Marotta përsëriti se kjo situatë lidhet me Calhanoglu-n:
“Nuk duhet ta fajësojmë Calhanoglu-n. Ende nuk kemi folur me të, por do ta bëjmë gjatë javëve në vijim. Nëse vendosim të ndjekim rrugë të ndryshme, do ta bëjmë, por ende nuk kemi arritur në atë pikë.”
Sipas zërave, ndërsa Interi është i hapur për ta lënë Calhanoglu-n të bashkohet me Galatasaray-n, nuk janë të gatshëm të ulin çmimin e kërkuar që mendohet të jetë rreth 30 milionë euro.
Megjithëse është folur shumë për dëshirën e lojtarit për të bërë këtë transferim, deri tani nuk ka pasur asnjë ofertë zyrtare për Interin.