Tensionet dhe kaosi në Kuvend, Rama reagon për djegien e karrigeve nga opozita
Tensionet dhe kaosi në Kuvend, Rama reagon për djegien e karrigeve nga opozita
Kryeministri shqiptar Edi Rama ka reaguar lidhur me kaosin e ditës së sotme në Kuvendin e Shqipërisë.
Teksa ishte në takimin e hapur e zhvilluar për nismën “Deputeti që Duam”, Rama tregoi foton ku karriget e deputetëve ishin në zjarr pasi u dogjën nga opozitarët.
Ai tha se deputetët e opozitës i vendosën flakën karrigeve ku janë zgjedhur nga populli që të ulen, pasi kundërshtojnë një vendim gjykate.
“ky është një zjarr i ndezur me karriget e deputetëve të zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë për tu ulur në ato karrige e për të përfaqësuar ata që i çojnë atje, në shenjë revolte ndaj një vendimi gjykate. E solla këtu këtë imazh, sepse dua të them pak fjalë për politikën e cila prej shumë kohësh, jo vetëm në Shqipëri por edh enë vende të zhvilluara kalon ditë jo të mira në perceptimin publik, e në të vërtet është një mjet që i ka bërë gjëra jashtëzakonisht të mëdha në historinë e njerëzimit, por ka bërë edhe katastrofa shumë të mëdha.
Refuzimi i politikës si diçka e keqe, si diçka e pistë me të cilën më mirë të mos ngatërrohesh është foshnjarak sepse është e pamundur që ta vendosësh ti se çfarë politika bën apo nuk bën me ty. ti mund të vendosësh vetëm se sa ti mund ta përmirësosh politikën. por në rast se ti refuzon të merresh me të, ajo ka gjithë pushtetin që të merret me ty. Çdo gjë jashtë dyerve të shtëpisë, lidhet me politikën dhe me vendimet e saj. Por edhe brenda shtëpisë, shumëçka lidhety me politikën e vendimet e saj.
Mes këtyre dy pamjeve, jo absolute, qëndron edhe ndarja këtu tek ne, mes nesh, që përpiqemi të ndërtojmë, shërojmë, mbjellim dhe atyre që nga ana tjetër shkatërrojmë, plagosin, shkulin, djegin”,-tha Rama.
Kujtojmë se kaosi i kësaj të hëne në Kuvendin e Shqipërisë vjen pasi Gjykata e Apelit dha vendimin 1 vit burg për deputetin Ervin Salianji, i cili dënohet me akuzën “dhënie e dëshmisë së rreme” për çështjen “Babale”./Euronews