Teoricient i konspiracionit urdhërohet të paguajë një miliard dollarë dëmshpërblim në SHBA

Alex Jones, teoricieni i konspiracionit që pretendoi në mënyrë të rreme se të shtënat në shkollën e Sandy Hook në vitin 2012 ishin një mashtrim, është urdhëruar të paguajë 965 milionë dollarë si kompensim për familjet e viktimave të asaj masakre.

Familjet e tetë viktimave dhe një agjent i FBI-së që iu përgjigj sulmit po kërkojnë të paktën 550 milionë dollarë në një padi për shpifje në Konektikat. Ata pretendojnë se keqinformimi i transmetuesit të krahut të djathtë çoi në dekada ngacmimesh dhe kërcënimesh me vdekje.

Në shkollën fillore Sandy Hook u vranë 12 fëmijë dhe 6 të rritur. Jones ka argumentuar për vite se masakra ishte një mashtrim, një komplot qeveritar për t’u hequr armët amerikanëve. Ai pretendoi se “askush nuk vdiq”.

Ai i quajti prindërit e viktimave “aktorë të krizës” dhe pohoi se disa prej tyre as që ekzistojnë.

Sot, Jones pranon se sulmi ishte “100% i vërtetë”, të cilin ai e pranoi në gusht në një gjyq të veçantë për shpifje në Teksas.

Ndërsa u lexua vendimi, anëtarët e familjeve të viktimave ishin dukshëm të emocionuar, me disa të shpërthyer në lot. Gjyqi u karakterizua nga dëshmia emocionale e prindërve të mbetur pa fëmijë. Disa përshkruan se ishin të ekspozuar ndaj urrejtjes në internet, dhe të tjerë se u duhej të lëviznin vazhdimisht për arsye sigurie. Një nga prindërit, Mark Burden, tregoi se si dëgjoi njerëzit që përdhosnin varrin e djalit të tij Danielit, “duke urinuar mbi të dhe kërcënuar se do ta gërmonin”.

Juristët dëgjuan gjithashtu prova se Jones dhe kompania e tij fituan miliona dollarë duke shitur suplemente ushqimore, pajisje për mbijetesë dhe produkte të tjera. Ai u bëri thirrje fansave të tij për donacione të menjëhershme dhe premtoi se fondet nuk do të shkojnë për shpenzimet e tij ligjore, por për të “stabilizuar kompaninë dhe për të luftuar këtë mashtrim”.

LEXO EDHE:

Back to top button