Tërbohet Nuri Shahin: Goli i Bajernit, ishte i padrejtë

Klasikja gjermane mes Borusia Dortmund dhe Bajern Munih, përfundoi 1-1. Dortmund mbetet e pamposhtur në stadiumin e vet. Por lojtarët e Borusias nuk janë të kënaqur me barazimin kundër Bajernit. Një skenë në veçanti është burim diskutimi.
Bavarezët barazuan vonë. Ylli i rekordmenëve, Xhamal Musiala, vulosi “X” në minutën e 85- të, krejtësisht i pambuluar. Kjo ndodhi edhe sepse mbrojtësi i Dortmundit, Niklas Syle, ishte shtrirë i trullosur në zonën e penalltisë, pasi u godit në kokë nga një goditje dënimi.
“Verdhezinjtë” janë të bindur se ndeshja është dashur të ndërpritet pas goditjes së Syles. Atëherë sigurisht që barazimi nuk do të kishte ndodhur. Por arbitri Sven Jablonski e la lojën të rrjedhë, Bajern shënoi dhe të dyja skuadrat ndanë pikët.
Trajneri i Dortmundit, Nuri Shahin ka folur shkurt dhe i acaruar, i pyetur për situatën pas ndeshjes.
“E di që rregulli është se dueli duhet të ndërpritet nëse dikush goditet në fytyrë. Këtë e thotë edhe rregullorja. Nuk kam fjalë të tjera për të përshkruar këtë situatë. Shumë mirë mund të kishim fituar, por ja që ndodhi kështu”, e mbylli Shahin.