Tërhiqet pjesërisht mauna e rrokullisur në rrugën Shkup-Bllacë
Tërhiqet pjesërisht mauna e rrokullisur në rrugën Shkup-Bllacë

Gazetare: Ajnur Bafqari
Autoritetet arritën të tërheqin pjesërisht maunën e cila u rrokullis ditë më parë në rrugën Bllacë-Shkup. Për shkak të kësaj, trafiku në këtë zonë për disa orë u zhvillua me regjim të posaçëm. Por gjurmët e kësaj maune vazhdojnë të shihen në terren.
“Ndërkohë që pritet ndërtimi I autostradës së re Shkup-Bllacë, siguria e rrugës që aktualisht është në funksion lë për të dëshiruar, edhe një tjetër automjet i bashkëngjitet listës së aksidenteve që kanë ndodhur pikërisht në këtë rrugë”, raporton gazetarja e Alsat, Ajnur Bafqari.
Qytetarët nuk ndjehen të sigurt teksa e frekuentojnë këtë rrugë. Ata thonë se ajo është shumë e ngushtë, nuk është cilësore, ndërsa mungon edhe sinjalistika e duhur. Shoferët ankohen për vonesat e ndërtimit të autostradës së re, thonë se ajo do t’ua lehtësonte shumë lëvizjen.
“Nuk e di na jemi prej Peje, duke shkuar këtu, na bje me ardh shpesh, por këtu shumë keq e kanë lënë, ngushtë, është lidhje ndërmjet shteteve e nuk e di përse nuk po investohet, ka shumë gropa, rruga e ngushtë, kthesa, ndoshta kishte qenë më mirë me qenë me 4 korsi, se është lidhje ndërmjet shteteve. Por duket se nuk po na vlerësojnë neve, shumë mall vjen këtu, kamionë e sen, s’po di”, tha një qytetar.
“Nuk ndjehemi edhe aq të sigurt, jemi kamionistë, rruga është tepër e ngarkuar, edhe vetë po e shihni se nuk është e sigurte dhe turistët më shumë na bëjnë probleme, se nuk e dinë rrugën… Nuk e ka sinjalistikën e duhur, nuk ka shenja të mjaftueshme, por edhe shoferët, e sidomos të huajt, më shumë i bëjnë problemet se nuk e dinë saktë se sa është e lejuar të vozitet këndej… Ajo na e lehtëson shumë punën, sidomos unë flas për vetë veten se unë jam i Bllacës, por ja pra qe 12 vite u bënë 2 kilometra, akoma nuk kanë përfunduar, e ku janë edhe 16 të tjerat”, u shpreh një qytetar tjetër.
Ndër vite në këtë rrugë ka pasur aksidente të shumta…mes tjerash edhe ai i një familjeje kosovare, që doli nga rruga dhe përfundoi në lumin Lepenc ku humbën jetën 3 persona. / Alsat.mk