Tërmetet në ishujt grekë, Mitsotakis takon sizmologët, zbulohen detajet
Tërmetet në ishujt grekë, Mitsotakis takon sizmologët, zbulohen detajet

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka zhvilluar një takim të jashtëzakonshëm me sizmiologë, ekspertë, përfaqësues të kabinetit qeveritar ku u diskutua për aktivitetin e fundit sizmik në zonën detare midis Santorinit dhe Amorgos, ku qindra tërmete janë regjistruar prej disa ditësh.
Gjatë mbledhjes, sizmologët analizuan situatën dhe vërejtën se aktiviteti aktual sizmik i ngjan atij të viteve 2011–2012, por me intensitet më të madh dhe me një mesatare më të lartë të dridhjeve.
Frika më e madhe lidhet me mundësinë e një tërmeti mbi 6 shkallë të Rihterit. Vlerësimi i masave do të bëhet çdo ditë.
Kryetari i Organizatës për Planifikimin dhe Mbrojtjen Kundër Tërmeteve profesori Efthymios Lekkas, thirri një mbledhje urgjente të Komitetit të Përhershëm Shkencor për Vlerësimin e Rrezikut Sizmik dhe Komitetit të Përhershëm Shkencor për Monitorimin e Harkut Vullkanik Grek. Qëllimi ishte vlerësimi i aktivitetit sizmik dhe marrja e masave të mundshme parandaluese.
Komiteti rekomandoi mbylljen e shkollave në Santorini dhe shmangien e grumbullimeve masive në ambiente të mbyllura. Gjithashtu, qytetarëve u rekomandohet të shmangin qëndrimin pranë porteve të Ammoudit dhe Portit të Vjetër të Firas, për të siguruar sigurinë e tyre në rast të një tërmeti më të fortë.
Shkencëtarët vazhdojnë të monitorojnë zhvillimin e aktivitetit sizmik për të vlerësuar veprimet e mëtejshme që mund të jenë të nevojshme.