Tërmeti i zgjedhjeve lokale në Bukuresht

Ndryshimi i ligjit zgjedhor në Rumani bëri që në zgjedhjet lokale të së dielës të humbisnin politikanët që mendonin, se e kishin ndryshuar atë në favor të tyre. Postkomunistët e PSD-së pësuan humbje të ndjeshme.

Në zgjedhjet lokale në Rumani të zhvilluara të dielën (28.09) liberalët qeverisës të PNL dhe aleanca qytetare, USR PLUS dolën si fitues të qartë të tyre. Humbëse ishte partia socialdemokrate e PSD-së. Deri para katër vjetësh ligji zgjedhor rumun që parashikon një raund zgjedhor për zgjedhjet lokale u shërbente atyre partive dhe politikanëve që nuk kishin ndërmend as të bënin reforma dhe as të krijonin një administrtaë transparente. Kjo bëri që kandidatët e partisë socialdemokrate, pasuese e asaj komuniste, PSD pikërisht për shkak të pjesëmarrjes së ulët në votime me një sasi të vogël votash të hynin në shumë zyra të kryetarëve të bashkive dhe këshillave bashkiakë. Shembulli më i njohur ishte në Bukuresht, ku kryetarja e bashkisë, deri tani në detyrë, zëvendëskryetarja e PSD-së, Gabriela Firea u zgjodh në post me vetëm 240.000 vota, një të dhjetën e popullsisë në kryeqytetin rumun.

Tani katër vite më vonë ky ligj iu kthye në bumerang pikërisht atyre partive që menduan, se e kishin ndryshuar atë në favor të tyre. Shumë votues të rinj e kuptuan këtë lojë politike, dhe ndryshe nga viti 2016, e lanë mënjanë pakënaqësinë e tyre dhe dolën në votime. Aktivisti i pavarur politik për të drejtat e njeriut, Nicusor Dan që në zgjedhjet e kaluara u rendit në Bukuresht pas Fireas në vend të dytë, këtë herë me ndihmën e liberalëve, PNL, dhe Aleancës ekoqytetare, USR PLUS  do të ngjitet tani në postin e kryetarit të bashkisë. Me rreth 280.000 vota, jo ndonjë fitore spektakolare, por me bazë të mirë. Vëzhguesit i shohin këto zgjedhje si test për zgjedhjet parlamentare më 6 dhjetor.

Premierë në Temeshvar

Në një qytet tjetër, Temeshvar, qyteti më i madh në perëndimin rumun Alenca USR PLUS doli me kandidat të sajin kundër liberalit në post, Nicolae Robu dhe fitoi ndjeshëm. Ajo që konsiderohet si premierë është se për aleancën kandidoi një i huaj nga BE, qytetari gjerman, Dominic Samuel Fritz. Temeshvar është vendlindja e pakicës gjermane, të shvabëve të Banatit, një qytet multikulturor, ku prej shekujsh jetojnë bashkë rumunë, hungarezë, gjermanë, serbë, hebrenj, romë dhe etni të tjera. Ky është qyteti ku në vitin 1989 filloi revolucioni antikomunist kundër diktaturës së Çausheskut. Tani Temeshvar sërish bën histori: Për herë të parë ai zgjedh si kryetar bashkie një qytetar jo me kombësi rumune./DW

LEXO EDHE:

Back to top button