Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Nata e tetë shtatorit të vitit 2021 u kthye në një natë zie për qytetin e Tetovës dhe gjithë vendin. 14 persona, prej të cilëve 12 pacientë të shtruar në spital dhe dy të afërmit e tyre humbën jetën nga zjarri që bëri shkrumb e hi spitalin modular në Tetovë, për jo më shumë se 3 minuta. Spitali modular ishte i ngritur për trajtimin e pacientëve me Covid-19.
Ngjarja ngjalli reagime të shumta nga qytetarët, organizatat ndërkombëtare dhe institucionet shtetërore, me premtime për drejtësi dhe përgjegjësi, por këto dy të fundit për familjarët e viktimave ende nuk kanë ndodhur.
Kanë kaluar më shumë se dy vite që kur Prokuroria Publike ka njoftuar se po zhvillohet një hetim i dytë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për zjarrin në spitalin modular, por e njëjta është ende në procedurë hetimore. Hetimet deri më tani kanë treguar vetëm se zjarri ishte pasojë e një kablloje të zgjatur i cili kishte marrë flakë pas përdorimit të defibrilatorit tek njëri nga pacientët e shtruar.
Ndërsa, në maj të 2024 Gjykata e Tetovës shpalli vendimin e rigjykimit për këtë rast, ku me nga një vit e gjashtë muaj burg u dënuan ish drejtori i Spitalit të Tetovës Florin Besimi dhe ish drejtori ekonomi Artan Etemi, ndërsa Spitali i Tetovës u gjobit me një milionë denarë. Ndryshe nga aktgjykimi i parë kur dënimi ishte i njëjtë me një vit e gjashtë muaj burg me kusht, kësaj here dënimi ishte pa kusht.
Kujtojmë, se të akuzuarit nuk u akuzuan për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale. Besimi dhe Etemi u shpallën fajtorë për veprën penale “Krime të rënda kundër sigurisë publike”, ndërsa Spitali Klinik i Tetovës për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Ndërsa, nga fajësia është liruar mjeku, Boban Vuçevski i cili natën e kobshme ka qenë kujdestar.
Si pasojë e kësaj, u dhanë dorëheqje nga ministri i atëhershëm i Shëndetësisë dhe zëvendësi, Venko Filipçe dhe Ilir Hasani, si dhe drejtorët e spitalit të Tetovës, Florin Besimi dhe Artan Etemi. Po, dorëheqja e Filipçes nuk u pranuar nga ish kryeministri Zoran Zaev.
Në lidhje me rastin në kërkim të përgjegjësisë pati reagime të shumta, akuza, marshe dhe protesta./Alsat.mk








