Tetovë/ Zjarrfikësit shpëtuan 11 udhëtarë, furgoni i të cilëve ishte bllokuar te ura e Zhelinës

Tetovë/ Zjarrfikësit shpëtuan 11 udhëtarë, furgoni i të cilëve ishte bllokuar te ura e Zhelinës

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Reshjet e mbrëmshme të shiut kanë vërshuar dhjetëra bodrume lokalesh dhe shtëpish, ndërsa kanë bllokuar edhe hyrjen e qytetit të Tetovës nga ana e Shkupit. Zjarrfikësit gjatë natës së mbrëmshme kanë intervenuar në 30 vende, ndërsa më kritike ka qenë ura tek hyrja e qytetit dhe ura në Zhelinë, ku ishin bllokuar edhe disa makina.

“Kemi pasur mbi 30 thirrje ku ka pasur nevojë të intervenohet nëpër bodrume dhe shtëpi të ndryshme. Pika kritike ishte në Reçicë të Madhe e të Vogël, si dhe nënkalimet në hyrje-dalje të qytetit. Në komunën e Zhelinës po ashtu kemi bë intervenim në heqjen e një fugoni që ishte me njerëz, si dhe sot vazhdojmë të intervenojmë me nënkalimet, gjegjësisht atë në lagjen Dardania ku ka dy nënkalime dhe po bëjmë pastrimin e ujit. Vazhdon të jetë e bllokuar rruga, shpresojmë për një orë do jetë e kalueshme për banorët”, tha Avni Ameti, kryeshef i NJTKZ Tetovë.

Bllokimet e këtilla në nënkalime në hyrje-daljet e qytetit përsëriten sa herë që ka reshje dhe shkak për këtë është bllokimi i kanalizimeve atmosferike. Kërkuam sqarim edhe nga komuna e Tetovës se përse nuk zgjidhen këto probleme, nga ku na u përgjigjën se po punojnë në drejtim të hartimit të projektit për pikat kritike e që në tërësi janë gjashtë në qytet.

“Po punojmë në drejtim të zgjidhjes së problemit me kanalizimet që të mos ketë përsëritje të vërshimeve gjatë të reshurave të shiut”, u shpreh Besarta Ramadani, Zëdhënëse e Komunës së Tetovës.

Gjatë ditës së sotme po ashtu në Komunën e Tetovës, do të vazhdojnë edhe paraqitjet eventuale të dëmeve nga vërshimet që janë bërë nëpër shtëpi, për të cilat, ditëve në vijim komuna do të del me komunikatë se sa paraqitje ka pasur. Reshjet e fundit të shiut dhe breshrit që ndodhën në Tetovë, shkatërruan mbi 500 prona në të mbjella të bujqësisë dhe objekte banimi apo dyqane./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button