Tirana, Durrësi dhe Vlora presin tri etapat e para të Xhiros së Italisë

Këtë fundjavë (të premten) do të nisë edicioni nr.108 i Xhiros së Italisë, një nga eventet më të mëdha në botë në sportin e çiklizmit. Për herë të parë ky turne me 21 etapa do të nisë nga Shqipëria. Pikërisht në “vendin e shqiponjave” do të zhvillohen tri etapat e para të kësaj gare, që pritet të ketë një interes të madh. Tirana, Durrësi dhe Vlora janë tri qytetet ku do të garohet më datat 9, 10 dhe 11 maj.
Etapa e parë është ajo Durrës-Tiranë (160km e gjatë), me çiklistët që do të kalojnë nga Elbasani. Për të gjithë dashamirësit, finishi i kësaj etape që do të përshkojë edhe disa rrugë të kryeqytetit, do të jetë sheshi nënë Tereza.
Etapa e dytë është një kronometër individual 13.7km e gjatë) dhe do të kalojë në rrugët kryesore të kryeqytetit. Ndërsa e etapa e tretë do të zhvillohet tërësisht në Vlorë dhe bregdetin jonian (160km e gjatë).
Kjo etapë është me disa malore të forta, si Qafa e Llogarasë, për të përshkuar në kthim edhe rrugët e reja të ndërtuara së fundi. Si starti ashtu dhe finishi do të jenë në Vlorë dhe pas një dite pushim turneu do të vijojë në Itali. Një turne që do të zbulojë edhe mjaft bukuri të natyrës dhe rivierës shqiptare, ndërkohë që interesi është i madh. Mbrëmjen e 7 majit, të mërkurën, do të bëhet edhe prezantimi i çiklistëve dhe skuadrave në sheshin nënë Tereza.
Në kryeqytetin shqiptar kanë nisur të mbërrijnë garuesit e parë, 180 të tillë dhe duke parë terrenin malor ku do të garohet pritet të ketë mjaft emocione. Yjet e çiklizmit do të garojnë në Shqipëri, që është gati t’i mirëpresë.
Tri etapat shqiptare
Durrës-Elbasan-Tiranë, 160km
Tiranë-Tiranë, 13.7km (kronometër individual)
Vlorë-Vlorë, 160km