Tirana Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025
Tirana Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025

Tirana u shpall sot zytarisht Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025 dhe për të pritur një tjetër vit të rëndësishëm për kryeqytetin, Bashkia e Tiranës organizoi një festë me pjesëmarrës përfaqësues të botës së artit dhe kulturës. 2024-a do të jetë një vit përgatitor për të zbatuar më pas në 2025-ën titullin “Tirana, kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut”.
Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se kryeqyteti ka mbajtur tituj të rëndësishëm dhe kjo falë bashkëpunimit pa kushte nga të gjithë.
“Nëse do e ndajmë mendjen që do bashkëpunojmë, i gjithë qyteti do gjallërohet nga një energji e jashtëzakonshme. Kur e filluam këtë punë, edhe në qeveri, edhe në bashki, Tirana kishte një jetë të vobektë kulturore. Ti përgatiteshe, madje për një event në 2-3 javë ose në muaj. Sot shumë nga kolegët do të mbarojnë aktivitetin këtu dhe do shkojnë në skenat e tyre ose në galerinë e tyre. Më kujtohet e njëjta gjë ishte edhe me Galerinë e Artit. Sot kur dëgjon që kemi edhe ekspozita nga Japonia në Galerinë e Arteve, ti kupton vërtet se ne e kemi në dorë që t’i prekim, t’i ndryshojmë këto realitete. Unë besoj që është vetëm çështje kohe, sa ta vërë re gjithë bota. Ne sot jemi votuar unanimisht nga 43 shtete, kanë votuar 43 ministri të Jashtme dhe 4000 organizata që janë pjesë e rrjetit të Unionit të Mesdheut, në një situatë që nuk është një situatë ideale për Mesdheun. Tirana duhet të shërbejë si një urë e Mesdheut, misioni që na është ngarkuar është jo vetëm të jetë një vit i madh me këngë e valle në Tiranë, por ky vit do jetë një mundësi për ta kthyer Tiranën në një sofër, në një agora, në një piacë, një skenë mesdhetare për të lidhur njerëzit”, u shpreh Veliaj./tch